MASH: Bursa mujore për nxënësit e zonave rurale


Vendimi – Nga provimi i gjuhës shqipe do të përjashtohen nxënësit, të cilët zotërojnë një dëftesë lirimi, të lëshuar nga shkollat shqiptare


Strategjia – Njohje e nxënësve me disa degë të reja mjaft të kërkuara në treg siç janë hoteleri-turizëm apo operator rrjetesh kompjuterike


Studente-te-Fakultetit-Filologjik,-duke-pritur-te-fillojne-mesimin,-ne-diten-e-pare-te-shkollesPër të rinisur mësimin në shkollat shqiptare, fëmijët e emigrantëve duhet të testohen në lëndën e gjuhës shqipe.


Mirëpo kjo nuk vlen për të gjithë. Në rregulloren e hartuar posaçërisht për këtë kategori personash, testimi parashikohet vetëm për nxënësit, të cilët shkollën 8 apo 9-vjeçare e kanë kryer në Shqipëri. Kështu, nga provimi i gjuhës shqipe do të përjashtohen nxënësit, të cilët zotërojnë një dëftesë lirimi, të lëshuar nga shkollat shqiptare. E kundërta do të ndodhë, me ata të cilët e kanë lënë përgjysmë shkollën 8-vjeçare apo 9-vjeçare me sistemin e ri arsimor. Me hir a me pa hir, ata janë të detyruar që për të vijuar normalisht mësimet në vitin përkatës, të testohen në njohuritë e gjuhës shqipe, ku pjesa më e madhe e tyre kanë mangësi të tejskajshme, çka i penalizon ata të kalojnë nga njëri vit në tjetrin.


Përballë një situate, ku numri i nxënësve të kthyer në atdhe, për rrjedhojë të regjistruar në një prej shkollave 9-vjeçare apo të mesme në vend arrin në mbi 2700, MASH ka hartuar një plan veprimi për t’u ardhur në ndihmë njohurive të tyre.


Bazuar në planin e veprimit për shtetasit shqiptarë, MASH do të ofrojë: Ndihmë për mësimin e gjuhës shqip, për ata të cilët kanë vështirësi me 2 orë në javë, në 2 ditë të ndryshme, si edhe programe të posaçme nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit. Por, nuk do të mjaftojnë vetëm këto pika për t’ua lehtësuar fëmijëve të kthyer nga shkollat e huaja, mësimin e gjuhës shqipe.


Drejtori i Arsimit të mesëm në Ministrinë e Arsimit, Ndriçim Mehmeti, sqaron për gazetën “Shqip” se për herë të parë në vend do të hapen shkolla verore për mësimin e gjuhës shqipe, pa përjashtuar edhe zhvillimin e lëndëve të tjera, që do të jenë suplementare.


“Do të ofrohet shërbim psikologjik për kapërcimin e vështirësive në marrëdhëniet me komunitetin dhe stafin mësimor. Shërbimi psikologjik do të konsistojë në asistencën ndaj këtyre fëmijëve të shtetasve të ripranuar, për të bërë të mundur, përshtatshmërinë e tyre me shkollën, në marrëdhëniet mes komunitetit të nxënësve, si dhe në marrëdhëniet mes tyre dhe personelit mësimdhënës. Do të zhvillohet seminari i përvitshëm me mësuesit që japin mësimin e gjuhës, kulturës shqiptare në diasporë, do të miratohet abetarja mbarëkombëtare dhe i planit mësimor për mësimin e fëmijëve në diasporë. Ndërkohë, nuk do të mungojë edhe botimi i librave në zbatim të këtij plani, ku përfshihet edhe shpërndarja e tyre, në përputhje me kërkesat”, theksoi Mehmeti. Ministria e Arsimit ka parashikuar që për nxënësit e rikthyer, familjet e të cilëve janë në vështirësi ekonomike, të ofrohen bursa mujore, ndërsa premton se do të ndihmojë në punësimin e atyre që diplomohen në degët profesionale.


“Për të gjithë fëmijët që janë nga zonat rurale dhe me mundësi të pakta ekonomike, të mundësohet marrja e një burse mujore (siç është edhe për nxënësit e tjerë) që mund të stimulojë afrimin e tyre me arsimin profesional. Njohja nga DAR/ZA me disa degë të reja mjaft të kërkuara në treg siç janë hoteleri-turizëm apo operator rrjetesh kompjuterike si edhe njohja me mundësitë që kanë për një punësim të shpejt në tregun shqiptar.


Shpresa Mezini