Universitar dhe pasuniversitar në Financë Bankë, Etika në Lidership, Psikologji Shëndeti


Shpresa Mezini


Janë rreth 150 të drejta studimi shtesë, të cilat do të miratohen brenda javës së ardhshme nga Këshilli i Ministrave. Dje, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka publikuar miratimin e vendimeve për hapjen e degëve të reja për këtë vit akademik, por edhe për vitin e ardhshëm. Ndarja e kuotave për çdo degë, si dhe numri ekzakt i akorduar çdo fakulteti, do të bëhet publike javën e ardhshme.


Me propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe miratim të qeverisë, janë miratuar programet e reja të studimit, si për studime universitare ashtu edhe për pasuniversitare në disa universitete publike në vend.


Institucionet e arsimit të lartë publik, që do të përfitojnë nga degët e reja që Ministria e Arsimit ka vendosur të hapë, janë: Universiteti i Tiranës, Politekniku, Bujqësori, “Luigj Gurakuqi” Shkodër, “Aleksandër Xhuvani” Elbasan dhe “Eqrem Çabej” Gjirokastër. Duke iu referuar urdhrave të Ministrisë së Arsimit drejtuar institucioneve përkatëse, rezulton se degët e reja që do të fillojnë në vitin akademik 2012-2013 vlejnë vetëm për Universitetin Politeknik dhe “Luigj Gurakuqin”. Ndërsa degët e tjera të studimit si bachelor apo master për universitetet e tjera do të çelen në vitin 2013-2014.


“Në përputhje me një nga nenet e Kushtetutës ‘Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar, urdhëroj hapjen në Universitetin e Tiranës, të programit të studimeve të ciklit të dytë master i shkencave në Etika në Institucione dhe Lidership. Programi i studimeve të ciklit të dytë, master i shkencave realizohet me 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është 2 vite akademike”, parashikohet në një nga urdhrat e Ministrisë së Arsimit. Në një tjetër shkresë, të firmosur nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, parashikohet hapja në Universitetin Politeknik të Tiranës, të programit të studimeve të ciklit të dytë master profesional në degët: Teknologji Informacioni, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë universitare master profesional në Teknologji Informacioni, Inxhinieri Informatike. Në urdhëresë saktësohet se programet e studimeve të ciklit të dytë, master profesional realizohen me 90 kredite, ndërsa kohëzgjatja normale e tyre është 1 vit e gjashtë muaj.


“Urdhëroj hapjen në Universitetin Bujqësor të Tiranës, të programit të studimeve të ciklit të dytë master i shkencave në Mjekësi Bimore. Programi i studimeve të ciklit të dytë, master i shkencave realizohet me 120 kredite, ndërsa kohëzgjatja normale e tij është 2 vite akademike. Hapjen në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, të programit të studimeve të ciklit të dytë master profesional në degët: Trashëgimi Kulturore dhe Menaxhim Turizmi, Administrim-Biznes, Financë Bankë dhe Psikologji Shëndeti”, thuhet në 2 urdhëresat e dërguara zyrtarisht dje nga MASH-i.


Në urdhrat e MASH-it kërkohet hapja në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, të programit të studimeve të ciklit të parë bachelor në Ekonomi Turizmi, master i shkencave në Mësuesi-Arsimi Fillor. Sipas të dhënave, në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, do të hapen programe studimesh bachelor në Multimedia dhe Televizion Dixhital dhe master i shkencave në Mësuesi për Arsimin Fillor, Klasat I-VI. Duke iu referuar njoftimit zyrtar të Ministrisë së Arsimit, thuhet se do të hapen degë të reja në Universitetin “Eqrem Çabej”, Gjirokastër, master i shkencave në Mësuesi për Arsimin Fillor, Klasat I-VI, i cili quhet i realizuar me 120 kredite, ndërsa zgjat në kohë 2 vite akademike.


 


Universiteti i Tiranës


Programi i studimeve të ciklit të dytë master i shkencave në Etika në Institucione dhe Lidership


 


Universiteti Politeknik i Tiranës,


Program i studimeve të ciklit të dytë master profesional në degën Teknologji Informacioni


 


Universiteti Bujqësor i Tiranës


Programi i studimeve të ciklit të dytë master i shkencave në Mjekësi Bimore


Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër


Programi i studimeve të ciklit të dytë master profesional në degët: Trashëgimi Kulturore dhe Menaxhim Turizmi, Administrim-Biznes, Financë Bankë dhe Psikologji Shëndeti


 


Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan


Programi i studimeve të ciklit të parë bachelor në Ekonomi Turizmi, master i shkencave në Mësuesi-Arsimi Fillor


 


Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës


Program studimesh bachelor në Multimedia dhe Televizion Dixhital dhe master i shkencave në Mësuesi për Arsimin Fillor, Klasat I-VI


 


Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër


Master i shkencave në Mësuesi për Arsimin Fillor, Klasat I-VI