Një tjetër kryebashkiak rezulton të ketë probleme me ligjin e dekriminalizimit.

Prokuroria e Përgjithshme njofton se Kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj,ka qenë i dënuar me tre vite burg në Greqi, me një vendim të formës së prerë për veprën penale të përleshjes dhe konfliktit.

Në përfundim të hetimeve, Akuza thekson se “Deklaruesi Qerim Ismailaj, me funksion kryetar i Bashkisë Mallakastër, rezulton i dënuar me veprim të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale, nga autoriteti gjyqësor i huaj. Referuar vendimit 9-11/2000 të Gjykatës së Përbërë nën Betim të Chios, i formës së prerë, rezulton se i akuzuar Qerim Ismailaj (në mungesë në gjykim), është deklaruar fajtor dhe është dënuar me 3 vite burgim për veprën penale të “Konfliktit”/ “Përleshjes”, parashikuar nga neni 313 i Kodit Penal të Republikës së Greqisë, që i korrespondon veprës penale të “dëmtime të tjera me dashje” parashikuar nga neni 90/1 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, e cila si sanksion parashikon dënim vetëm me gjobë”.

Kryebashkiaku Qerim Ismailaj e kishte fshehur këtë dënim në formularin e dekriminalizimit, por ishte Partia Demokratike në janar të vitit 2020 që denoncoi shkeljen.

Qerim Ismailaj nuk është kryebashkiaku i vetëm që preket nga ligji i Dekriminalizimit, pasi më herët PD ka denoncuar edhe disa emra të tjerë, mes të cilëve edhe kryebashkiakun e Vorës, Agim Kamjaku, që vazhdon të jetë në kërkim nga drejtësia shqiptare./Gazeta SHQIP