Kandidatja për kryetare të Partisë Demokratike, Edith Harxhi ka deklaruar se Lulzim Bashës i është refuzuar viza në SHBA prej 4  vitesh. Akuzën e fortë, Harxhi e bëri  në emisionin “Zonë e Lirë”.

“Zoti Basha vetë ka 4 vjet që nuk udhëton dot në Amerikë sepse i është refuzuar viza. Herën e fundit që Basha ka qenë në SHBA ka qenë maji i 2017-ës kur bëri atë foton me Trump dhe që hapi shumë debate sepse u paguan ca lekë nuk e di si u paguan. Që nga ajo kohë Basha nuk ka shkuar më në SHBA. Duhet të dini një gjë. Nuk fiton dot zgjedhjet në Shqipëri nëse përpara tyre nuk bën një vizitë në SHBA.”, tha Harxhi. 

Harxhi tha se Basha është ftuar nëpër konventa të republikanëve, por nuk ka mundur të udhëtojë pasi nuk ka vizë.

“E di shumë mirë që Bashën e kanë ftuar nëpër konventa të republikanëve dhe aktivitete të tjera dhe nuk mundur dot të shkojë sepse i është refuzuar viza”, tha Harxhi. 

Nëse denoncimi i Harxhit është i vërtetë kjo do ishte një goditje e fortë për PD. Kujtojmë se para pak ditësh DASH shpalli “non grata” edhe liderin historik të PD, Sali Berishën, për korrupsion madhor/ Gazeta SHQIP