Avokati Arbër Hoxha ka deklaruar se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do të ushtrojë të drejtën për të kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme kundër Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për shkelje të Kushtetutës dhe shpërdorim të detyrës.

Sipas Hoxhës, Presidenti Begaj ka kryer një nga shkeljet më të rënda të nenit 115, pika 2 të Kushtetutës, duke konsideruar se ankimimi në Gjykatën Kushtetuese pezullon çdo vendimmarrje të Këshillit të Ministrave deri në vendimin e Gjykatës. “Në këto kushte, besoj se zotit Veliaj, patjetër që do të ushtrojë të drejtën e kallëzimit penal për Presidentin e Republikës”, tha avokati.

Hoxha theksoi gjithashtu se Gjykata Kushtetuese i kishte komunikuar ditën e djeshme presidentit se vendimi mbi shkarkimin e Veliajt ishte i pezulluar dhe, ndërkohë që presidenti mund të dekretonte zgjedhjet për pesë bashki të tjera, për Tiranën duhej të priste vendimin e Gjykatës.

“Është 100% e sigurt. Zoti Veliaj është në të drejtën e tij legjitime dhe kushtetuese për të ushtruar kallëzim penal pranë SPAK, duke qenë se presidenti i Republikës është një nga subjektet e nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale dhe patjetër do ta ushtrojë këtë të drejtë. Mbi të gjitha, presidenti duhet të jetë garant i Gjykatës Kushtetuese”, përfundoi Hoxha.