Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë në lidhje me punësimet në administratën shtetërore. Nga sheshi para kryeministrisë, Lapaj tha se ka mijëra njerëz që përfitojnë pagën e shtetit, pa shkuar në punë.

“Patronazhistët ta dinë se nuk më ndikojnë fare. Ka mijëra persona që hanë meze tek lokali i lagjes pa shkuar në punë dhe marrin rrogën. Ka dhe mijëra të tjerë që jetojnë jashtë shtetit dhe marrin pagën. Shiko çfarë marifeti kanë bërë. Paguajnë vetëm sigurimet për efekt pensioni dhe pagën e tyre e përfitojnë ata që i kanë future në punë. Ka njerëz që jetojnë në Nju Jork dhe marrin rrogën në Ujësjellës, marrin rrogën në ushtri. Ai jeton në Gjermani e Amerikë. Si mos t’i them unë këto gjëra? Është tradhti ndaj atdheut”, tha Lapaj.

Lapaj u rikthye sot të protestonte para kryeministrisë, pasi më herët u dërgua në spital sepse u lëndua gjatë përplasjes me policinë. Uniformat blu ndërhynë për të hequr çadrën e ngritur nga “Shqipëria Bëhet” dhe në një moment, Lapaj u godit nga një bombol gazi që i ra në kokë. Ai u dërgua me urgjencë tek spitali i Traumës dhe pasi mori ndihmën mjekësore, iu rikthye protestës.