Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji ka bërë një deklaratë të fortë mbrëmjen e sotme, teksa ka folur për ish-kryeministrin Sali Berisha. Në një intervistë, Salianji ka  zbuluar detaje lidhur me takimin e tij me kreun e PD-së, Sali Berisha pasi kishte dalë me leje nga burgu. Ish-deputeti tregoi se ka dalë me leje në muajin majin. Sipas tij ai mori leje me vonesë pasi duhet të dilte në periudhën e fushatës zgjedhore.

Gjatë kësaj kohe, Salianji tha se ka shkuar në shtëpinë e Berishës, dhe aty gjatë bisedës së tyre, Berisha i ka treguar që kishte bërë një marrëveshje në mënyrë që të lirohej nga arresti i shtëpisë. Sipas Salianjit, Berisha i ka thënë se e liruan nga arresti në shtëpi me kushtin që kryeministri Edi Rama të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2033.

Salianji shtoi se gjykatat janë nën drejtimin e qeverisë dhe e liruan Berishën para zgjedhjeve dhe jo atë, pasi sipas tij Rama e ka patur më të lehtë me kryedemokratin. Salianji theksoi se ku ka kandiduar ka fituar prandaj e kanë lënë në burg.

“Berisha më tha që i kam një detyrim Edi Ramës, që ta të rrijë në pushtet deri në 2033-in sepse mua ma kërkuan këtë në momentin që më nxorën nga arresti i shtëpisë. Ndërkohë që mua më mbajti në burg, për shembull, nuk më la të kandidoj sepse e kam mundur aty ku kam qenë. Zotin Berisha me sa duket e ka pasur të lehtë edhe këtu pastaj bëmë një diskutim se si na ndihmoi më shumë. A më ndihmoj mua qeveria që qëndrova 10 muaj në burg e nuk më la të kandidoj”, tha ai ndër të tjera.