Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pas deklaratës së ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, e cila tha se në vend është ulur ndjeshëm kriminaliteti. Këtë deklaratë, Kryedemokrati e ka quajtur mashtrim ordiner, pasi ndodhi një ekzekutim mu para komisariatit të policisë në Rinas.

Atentati mafioz ndodhi mesditën e sotme pranë pranë aeroportit të Rinasit, ku nga breshëria e plumbave u ekzekutua Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe i plagosur mbeti Muçi Shaljani (Sheqeri). Dani dhe Shaljani po lëviznin me një Benz të bardhë luksoz, kur autorët me një tjetër makinë i zunë pritë dhe i qëlluan me breshëri plumbash.

Në makinën në pronësi të Elvis Kosovës shofer ishte Muçi Shaljani (punonjës i AMP) dhe Dani ishte pasagjer. Gilmando Dani sot kishte ardhur në Shqipëri nga Barcelona, por u ekzekutua vetëm disa minuta pasi kishte hipur në makinë. Pas atentati, autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të Fushë Krujës dhe kanë qenë me një mjet Toyota Yaris me targa greke.

Vetëm pak minuta pas ngjarjes, makina e përdorur për vrasjen u gjet e djegur në fshatin Halil. Ndërkohë, Policia në njoftimin zyrtar bëri me dije se kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë punën për kapjen e autorit/ëve.