Pak orë përpara se Rinasi të tronditej nga një atentat mafioz, ministrja e brendshme Albana Kociu, raportoi në Komisionin Parlamentar për Cështjet e Brendshme dhe Mbrojtjes, mbi gjendjen e sigurisë dhe kriminalitetit në vend.

“Kemi rritur ndjeshëm sigurinë, duke arritur 95% zbulueshmëri për veprat penale. Është ulur numri i krimeve të rënda, në nëntëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 29 vrasje me dashje, nga 41 që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Janë reduktuar gjithashtu edhe aksidentet e rënda me 17% krahasuar me një vit më pare.”

Kociu komentoi edhe tre vrasjet e ndodhura brenda një dite të martën e 28 tetorit. Ministrja tha se policia e ka të pamundur ti shmangë këto ngjarje tragjike.

“3 vrasje në ditë, janë tre krime tragjikë, që nuk janë vrasje mafioze. Janë të pashmangshme nga puna që bën përditë policia e shtetit. Nuk besoj se ka ndonjë vend të botës ku polici rri në kuzhinë për të parandaluar që djali të godasë me thikë babanë, apo brenda në kuzhinën e restorantit për të parandaluar picerin të godasë më thikë kuzhinierin, janë ngjarje tragjike, por për të cilat nuk implikohet puna e policisë së shtetit, autorët janë kapur menjëherë.”

Ndërsa mohoi mundësinë e dekonspirimit të operacioneve të Spak nga policia e shtetit.

“Sa i përket SPAK dhe Policisë së Shtetit, nuk është regjistruar asnjë rast dekonspirimi.”