Topi
Uroj që mos të ndodhin më
Në Ditën Kombëtare të Zisë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për të shprehur nga afër ngushëllimet dhe solidaritetin njerëzor e institucional për studentet, të cilat humbën jetën në aksidentin tragjik rrugor të Qafës së Vishës në Himarë. “Edhe njëherë dëshiroj që të përsëris urimin tim, që ngjarje të tilla të mos ndodhin më”, tha Topi.
Topalli:
Dhimbje e madhe për tërë kombin
Ditë të tmerrshme për mbarë popullin shqiptar. Kështu e ka cilësuar humbjen tragjike të jetëve në aksidentin e Himarës kryeparlamentarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke shtuar se të gjithë bashkë u japim lamtumirën këtyre vajzave që në familjet e tyre kanë lënë një dhimbje të madhe. “Ëndrrat e tyre mbaruan dje”, tha Topalli
Berisha
Shpirti i tyre u prehtë në paqe
Kryeministri Berisha mbërriti nga Çikago në Tiranë pasditen e djeshme dhe u nis menjëherë drejt Elbasanit për të bërë homazhe në nder të viktimave pranë universitetit “Alekandër Xhuvani”. I përlotur, kreu i qeverisë uroi që shpirti i viktimave të prehej në paqe dhe familjarët të gjenin forcën për ta kaluar këtë tragjedi.
BE
Ngushëllime edhe nga ndërkombëtarët
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, së bashku me shefat e Misioneve të BE-së në vendin tonë përmes një deklarate të përbashkët, shprehën ngushëllimet lidhur me aksidentin e rëndë rrugor të ndodhur dy ditë më parë në Himarë. Në deklaratën për mediat ata u shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave të aksidentit rrugor tragjik.
Arvizu
Lutjet tona për të mbijetuarit
Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu dhe personeli i ambasadës së SHBA-së në Tiranë, përmes një deklarate shprehën dje hidhërim të thellë dhe ngushëllime të sinqerta për ata që humbën njerëzit e tyre të dashur në aksidentin tragjik. “Për të gjithë ata që i mbijetuan aksidentit, mendimet dhe lutjet tona janë për shërimin tuaj të shpejtë”, theksohet në mesazhin e ambasadës amerikane.
Ngushëllimi
Barroso, mesazh Presidentit Topi
Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, në kuadër të tragjedisë së rëndë që preku vendin, ka preferuar t’i dërgojë Presidentit Topi një mesazh ngushëllimi. Duke shprehur trishtim për ngjarjen e ndodhur, Barroso theksoi se ngushëllimi i tij bëhej dhe në emër të Komisionit Europian.
Dhimbja
Gjykata e Lartë: Humbje e thellë
“Në këtë ditë zie, për të gjithë vendin, Gjykata e Lartë bashkohet me dhimbjen dhe humbjen e thellë që pësuan familjarët e studenteve të Universitetit Aleksander Xhuvani. Ky mesazh ngushëllimi, është gjithashtu një mbështetje shpirtërore edhe për studentet e plagosura dhe familjarët e tyre, të cilat ndodhen të shtruara për kurim nën kujdesin e specializuar të mjekëve”, shprehet Gjykata e Lartë.