Deputeti i Vlorës i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, ka marrë pjesë ditën e sotme në protestën në mbështetje të luftës së UÇK-së që mbahet në Tiranë, përkundër vendimit të kolegëve të tij demokratë për të mos qenë prezentë atje.

Gjatë një interviste, Leskaj tha se ka marrë pjesë në protestë si deputet i Vlorës dhe i gjithë zonës së Labërisë.

Leskaj shtoi se shqiptarët sot duhet të jenë në mbështetje të luftës së drejtë të UÇK-së, në mbështetje të Hashim Thaçit dhe të tjerëve që po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Ai gjatë fjalës së tij sulmoi edhe ministrat e qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të cilët i quajti patronazhistë.

“Liria ka një emër, UÇK. Liria ka një emër, Hashim Thaçi. Gjykata për fat të keq po e ndërton gjithë fabulën e saj në bazë të bashkëpunëtorëve të UDB-së së dikurshme të serbëve. Ne duhet të jemi të gjithë me UÇK, me Hashim Thaçin, me Kadri Veselin, Me Jakup Krasniqin, me Rexhep Selimin dhe të tjerët.

Unë nuk jam udhëheqësi i PD, unë jam deputet i PD së Vlorës. Jam deputet i labëve, ka tre hyrje Labëria, fillon nga fshati im, Drashovica. Te shtëpia e gjyshit tim. Pavarësisht se disa nga këta patronazhistët e Ramës unë kam antipatinë më të thellë, nuk i pëlqej. Ministrat e Ramës janë patronazhistë, janë njerëz negativë”, tha mes të tjerash Leskaj.