Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki të vendit ditën e sotme, duke përfshirë dhe Tiranën. Data e caktuar nga Begaj është 9 nëntor, por ndryshe nga bashkitë e tjera, vendimi për shkarkimin e Erion Veliajt është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese.
Por çfarë parashikon Kushtetuta në rast ankimi nga kryebashkiaku i shkarkuar?
Në nenin 115 të Kushtetutës, thuhet se në rast se organi i shkarkuar me vendim të Këshillit Bashkiak apo nga Kryeministri, ankimon vendimin në Gjykatën Kushtetuese, atëherë zgjedhjet duhet të pezullohen deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Veliaj e ka dërguar në Kushtetuese shkarkimin e tij si kryebashkiak dhe ditën e djeshme, Gjykata bëri publik vendimin për ankimimin e Veliajt, duke nënkuptuar pranimin e padisë.
Neni 115 i Kushtetutes:
- 1. Organi i zgjedhur drejtpërdrejt i njësisë qeverisëse vendore mund të shpërndahet ose të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve.
- 2. Organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministravepezullohet.
- 3. Në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese, Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse.
Ndërkohë që e njëjta procedurë thuhet edhe në Kodin Zgjedhor të vendit. Në nenin 10 të Kodit Zgjedhor thuhet se nëse organi i shkarkuar ankimon vendimin për shkarkim, zgjedhjet duhet të mbahen jo më parë se 30 dite dhe jo më vonë se 45 ditë nga mbarimi i afatit që ka kryebashkiaku për të ankimuar vendimin.
Neni 10 i Kodit Zgjedhor:
- 1. Caktimi i datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore (Ndryshuar togfjalësh në pikën 1 dhe pika 2 me ligjin nr. 118/2020, datë 5.10.2020)1. Data e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës. Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, Presidenti zbaton rregullat e parashikuara në pikat 3 dhe 4 të nenit 9 të këtij Kodi.
- 2. Për efekt të caktimit të datës së zgjedhjeve, kohëzgjatja e mandatit të organeve të qeverisjes vendore përllogaritet deri në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së në shkallë vendi të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.
- 3. Në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit. Në rast ankimi të organit të shpërndarë ose të shkarkuar, zgjedhjet zhvillohen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga mbarimi i afatit që ka organi i shpërndarë për të ankimuar vendimin e Këshillit të Ministrave në Gjykatën Kushtetuese, kur kjo e drejtë nuk është ushtruar, ose data e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në rast se është ankuar në këtë gjykatë brenda afatit të nenit 115 pika 2 të Kushtetutës. Në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit.