Egjipt
Egjiptianët kanë dalë sërish në sheshe, në protesta kundër Presidentit Muhammad Morsi, i cili pak ditë më parë nxori një dekret të ri, duke i dhënë vetes kompetenca të reja gjithëpërfshirëse. Dje në mesditë, protestuesit i vunë flakën selive të Vëllazërisë Myslimane në disa qytete të ndryshme, ndërkohë që nga përleshjet raportohen 50 të plagosur. Shkak për zemërimin e turmave është bërë dekreti i ri që i garanton Morsit pushtet të zgjeruar. Në bazë të ndryshimit ligjor, dekreti dhe vendimet e Morsit nuk mund të revokohen nga asnjë autoritet shtetëror, përfshi edhe ato gjyqësor. Islamikët demonstruan të enjten në mbështetje të Morsit jashtë Gjykatës së Lartë, duke bërë thirrje që gjyqësori të pastrohet nga zyrtarët e ish-regjimit të presidentit të përmbysur, Hosni Mubarak. Por kundërshtarët e këtij dekreti e kanë krahasuar presidentin me diktatorin Mubarak, i cili u largua nga pushtetit në shkurt 2011, pas protestave mbarëkombëtare që i kushtuan jetën të paktën 860 personave. Lideri i opozitës, fituesi i çmimit “Nobel” për paqen Muhamed El Baradei, ka thënë se Morsi po vepron si një “faraon i ri”. Morsi u bë Presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike, pas sundimit 32-vjeçar të Mubarakut, por prirja autoritare për të forcuar më tej pushtetin në duart e tij po shihet me shqetësim në rritje nga vendet perëndimore.