Prej kohësh përflitej për një atentat të planifikuar ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ditën e djeshme në media u komfirmua se personi i cili akuzohet për një plan për vrasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, deputetit Xhavit Haliti dhe një komandanti me emrin Ismet Haxha është Prek Kodra.
Por, kush është Preku që planifikohej të vriste kryeministrin Albin Kurti?
Sipas dokumentit, roli i Prek Kodrës në serinë e atentateve që kishin për qëllim destabilizimin politik të Kosovës, ishte ai i atentatorit/vrasësit. Policia shqiptare e përshkruante Prekun (që në disa dokumente quhet Prekë) si person që dinte se si të përdorte edhe armën e zjarrit snajper, madje ishte ekspert për të.
Paraprakisht mësohej që planifikohej të vritej Ismet Haxha, dhe më pas Xhavit Haliti. Një muaj pas vrasjes së deputetit të PDK-së, do të vritej edhe Albin Kurti për t’u dukur si akt hakmarrjeje.
Prek Kodra, ishte arrestuar në verën e vitit 2011 pasi kishte penguar mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Shalë të Shkodrës.
46 vjeçari del se është nga fshati Shtoj i Ri në Shkodër. Ai ishte dyshuar edhe për lidhje të forta me mafien e Malit të Zi, me nipin e tij që pretendohet të jetë zënë me substanca narkotike dhe të ketë pasur probleme ligjore me këtë vend.
Nipi i Prek Kodrës raportohet të jetë Pëllumb Guri, i cili madje edhe kishte shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë malazez kur ishte penguar në aktivitetet e tij që kishin të bënin me transportimin e 88 kilogramëve lëndë narkotike kanabis sativa.
Policia e Shtetit shqiptar kishte qenë në banesën e Kodrës, ku kishin gjetur një numër të madh armësh por jo edhe personin në fjalë. Ai i kishte dy fëmijë të mitur në momentin e bastisjes nga forcat e rendit.
Kujtojmë se Zyra e Kryeministrit ka konfirmuar se kryeministri Kurti ishte në dijeni për këtë informacion.
“Rasti nuk është bërë publik që të mos përhapet panik,” – tha ZKM-ja.