Dalin në dritë detaje të reja nga e shkuara kriminale e Igli Kamberit, i konsideruar si kreu i grupit shqiptar të goditur së fundmi nga autoritetet italiane në bashkëpunim me SPAK-un.

Sipas mediave italiane, Kamberi rezulton i arrestuar edhe në vitin 2015, në kuadër të hetimeve për atentatin ndaj politikanit italian Pasquale Ventura, kryekëshilltar i Partisë Demokratike në komunën e Barletës.

Ngjarja ndodhi më 20 janar 2015, kur ndaj Venturës u qëllua disa herë me armë zjarri me synim eliminimin fizik. Pas hetimeve të zhvilluara nga autoritetet italiane, u zbulua se atentati dyshohej të ishte organizuar nga ish-bashkëshortja e tij, Concetta Dimatteo di Barletta, 40 vjeçe.

Ajo akuzohej se kishte paguar nga 20 deri në 30 mijë euro për realizimin e vrasjes, për shkak të konflikteve të forta ekonomike dhe personale pas ndarjes nga bashkëshorti.

Në atë kohë, Igli Kamberi u arrestua më 8 gusht 2015 së bashku me shtetasin shqiptar Artan Belliu, i cili sipas hetimeve kishte rolin e ndërmjetësit në organizimin e atentatit.