Tiranë


Vëllai i Prengë Lleshit rrëfen se oficeri rrezikon që të mbetet i paralizuar


Silvana Muça


prenge lleshiDel nga salla e reanimacionit Prengë Lleshi, oficeri i policisë që u aksidentua rëndë mbrëmjen e 4 majit, gjatë momentit që ishte në krye të detyrës. I plagosuri ishte pjesë e shërbimit të një postblloku të ngritur në zonën e Kamzës, për arrestimin e personave të dyshuar me precedentë penalë. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e vona të 4 majit, ku Lleshi së bashku me kolegët e tij kanë qenë në shërbim. Një automjet tip BMV X5 i drejtuar nga 37-vjeçari Edmir Koleci, i proceduar për vepra të ndryshme penale, ka përplasur për vdekje inspektorin Selman Lena dhe plagosur rëndë Prengë Lleshin. Pavarësisht se mjekët bëjnë me dije se Lleshi ka dalë nga rreziku për jetën, ai nuk është në gjendje të kujtojë asgjë nga momenti i aksidentit, që për pak sa nuk i mori jetën. Gjithashtu prej plagëve të marra në mushkëri, Lleshi bën frymëmarrje artificiale. Ndërkaq ai ka mjaft fraktura në trup, të cilat janë serioze dhe kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Specialistët ende nuk mund të thonë nëse Lleshi është në gjendje që të udhëtojë jashtë shtetit, në spitale më të specializuara. Duhet të shikohet vijueshmëria e tij shëndetësore. Në të kundërt do të bëhet operacion nga mjekët shqiptarë.


Familja


Vëllain e Lleshit e gjejmë në spital. Ai nuk ka lëvizur për asnjë moment që prej aksidentit tragjik të 4 majit. Pret e përcjell njerëzit që vijnë të interesohen për shëndetin e punonjësit të policisë. Duket sikur fluturon nga gëzimi dhe në fytyrë ka vulosur një buzëqeshje mirënjohje ndaj atyre që tregojnë vëmendje për vëllain dhe ndaj Zotit. E përsërit shpesh që Zoti ka bërë mrekulli, duke i dhënë jetë Lleshit. “Sot më në fund mund të marrim frymë lirisht. Jemi më të qetë pasi Prenga ka dalë nga salla e reanimacionit. Mjekët thonë se tani e tutje gjendja shëndetësore e tij do të vijë drejt përmirësimit. Gjithsesi ka ende shumë punë për të bërë. Për ditë të tëra, im vëlla ishte në dorë të Zotit dhe specialistëve, tashmë është në dorë të shtetit dhe specialistëve. Rreth një javë kemi ndenjur peng pas derës së reanimacionit, duke pritur të vetme fjalë prej mjekëve, që Prenga ka dalë jashtë rrezikut për jetën. Oh! Sa shumë e kemi pritur atë moment dhe ja ai erdhi”, shprehet i vëllai, Ndokë Lleshi. Mësohet se oficeri i Policisë së Tiranës ka pësuar fraktura në pjesë të ndryshme të trupit. Ai ka nevojë për disa ndërhyrje kirurgjikale, sepse ka thyer këmbën dhe dorën e djathë, disa brinjë, shpatullën, si dhe ka plagë në mushkëri. Edhe pse më e keqja ka kaluar, familjarët kanë nevojë për vëmendjen e shtetit. “Prenga i shpëtoi vdekjes, por ka ende nevojë për mjekim të specializuar, pasi rrezikon të mbetet i paralizuar. Ai duhet t’u nënshtrohet një sërë operacioneve. Nuk e di nëse do të bëhet këtu, apo do ta dërgojnë jashtë shtetit për më mirë. Duhen shumë para për blerjen e protezave. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë na garantoi për ndihmë financiare. Na tha se po shihet mundësia për ta transportuar jashtë, por mjekët do të japin verdiktin e tyre, nëse Prenga është në gjendje që të udhëtojë apo jo. Në të kundërt, ndërhyrjet kirurgjikale do t’i marrin përsipër mjekët shqiptarë. Shpresojmë që të mos na mohohet ndihma, sepse ne nuk kemi para që t’i përballojmë të gjitha këto shpenzime. Protezat dhe pajisjet ortopedike janë mjaft të kushtueshme”, vijon i vëllai. Ndërsa vjehrri i Prengë Lleshit kujton momentet kur u njoftuan për aksidentin. “Ka qenë e shkruar që Prenga të jetojë. Ai ka ardhur gjysmë i vdekur atë natë dhe mjekët na thanë që të përgatitemi për çdo gjë. Miku i tij e ka sjellë me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak brenda 2 minutave. Po të kishte zgjatur edhe pak, Prenga sot nuk do të ishte mes nesh. Shoku i tij është shpëtimtari i dhëndrit. Në ato momente mendova çmendurira. Nuk mund ta pranoja dot humbjen e Prengës. Vajza ime dhe fëmijët e saj kanë shumë nevojë për prezencën e tij”, shprehet vjehrri i Lleshit. Ndër të tjera, ata kërkojnë që autori i krimit makabër të dënohet maksimalisht.