Drejtori i Portit të Durrësit, Liburn Aliu, ka dalë nga ambientet e Prokurorisë Speciale të Kosovës, ku ndodhej që prej orës 10:00 të mëngjesit dhe po merrej në pyetje për rastin e ambalazhuesve të ujit. Në një deklaratë për mediat, ai është shprehur se ndihet i lehtësuar që ka dhënë sqarimet e tij pas rreth dy vitesh. Aliu dyshohet se gjatë periudhës kohore të vitit 2021-2024 në cilësinë e ministrit të Mjedisit, ka shpërdoruar detyrën me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.
“Është një lehtësim që pas 2 vitesh heshtje pata mundësinë të sqaroja situatën para prokurorisë, për gjithë atë sulm ndaj meje që ka degraduar aq shumë, por që unë i jam përgjigjur me heshtje deri tani. Pata mundësinë që të sqaroj që gjatë gjithë periudhës që isha ministër, unë kam vepruar në përputhje me ligjin. Kam vepruar sipas rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Nuk ka asnjë vendim, i cili mund të më ndërlidhë mua me këtë proces. Ka pasur edhe hetim që e qartëson pozitën e ministrit. Ishte rast i mirë që e sqarova këtë, tani jam i lehtësuar”, u shpreh Aliu.
