Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar zyrtarisht rezultatin e numërimi të votave, pas pezullimit përkohësisht.
Rezultati u la pezull fillimisht pasi në kuti janë gjetur dy fletë votimi më shumë sesa numri i votuesve të regjistruar. Në këtë qendër votimi, kanë votuar 193 të dënuar nga 195 të dënuar që figurojnë në listën e zgjedhësve.
Dy të burgosur nuk kanë mundur të votojnë, pasi ndodheshin jashtë ambienteve të IEVP-së gjatë zhvillimit të votimit. Në total, janë përdorur 198 fletë votimi, pasi përveç të dënuarve, 5 anëtarë të komisionit të qendrës së votimit kanë marrë pjesë në proces, duke votuar në vendin ku ndodhet qendra e votimit, sipas rregullave të përcaktuara.
Për sa i përket rezultatit të votimit në këtë qendër, Partia Socialiste (PS) ka marrë 148 vota, duke siguruar mbështetje të fortë nga të burgosurit. Ndërsa Partia Demokratike (PD) ka marrë 34 vota, dhe Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet (NISMA-SHB) ka siguruar vetëm 1 votë. Po ashtu, Koalicioni Djathtas për Zhvillim (DZH) dhe Lëvizja Atdheu kanë marrë nga 1 votë secila.
Votues në qendrën e votimit në burgun e Durrësit janë edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, Alqi Bllako dhe ish-ministrat Lefter Koka e Ilir Beqaj.



