Gjatë zhvillimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Vlorës, drejtuesit e autobusëve të transportit urban kërkuan të marrin pjesë në mbledhje për të paraqitur shqetësimet e tyre. Ata kërkojnë një takim me kryetaren e bashkisë lidhur me problematikat që ngritën një ditë më parë, kryesisht atë të konkurrencës së paligjshme.
Shoferët shprehen se po dëmtohen nga aktiviteti i furgonëve pa licencë, të cilët sipas tyre operojnë jashtë çdo rregulli dhe po u marrin pasagjerët. Një tjetër kërkesë lidhet me mosndryshimin e vendndodhjes së stacionit ku ata kanë qëndruar prej vitesh.
Sipas tyre, zhvendosja e stacionit pranë institucionit të paraburgimit do të ndikojë negativisht në numrin e udhëtarëve, pasi zona është më e largët dhe më pak e aksesueshme për qytetarët.
