Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu priti këtë të hënë një delegacion të Komisionit të Jashtëm të Senatit francez, që kryesohej nga zoti Jean-François Rapin, Kryetari i Komisionit të Senatit për Çështjet Evropiane, gjithashtu anëtar i Komisionit të Financave.
Gjatë takimit palët u ndalën fillimisht në marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë e Francës, duke përmendur dhe Deklaratën mbi Partneritetin Strategjik mes dy vendeve, e nënshkruar në vitin 2017.
“Ne e konsiderojmë shumë të rëndësishëm bashkëpunimin parlamentar për të shkëmbyer mendime dhe qëndrime mbi bashkëpunimin dypalësh, situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, axhendën e integrimit evropian të Shqipërisë, forcimin e multilateralizmit në organizatat ndërkombëtare”, tha nënkryetarja Klodiana Spahiu gjatë takimit ku pikë diskutimi ishte dhe çështja e integrimit.
“Rruga jonë drejt anëtarësimit në BE reflekton një përkushtim të vazhdueshëm ndaj demokracisë, shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut dhe një identiteti të thellë evropian. Mbështetja publike për integrimin mbetet jashtëzakonisht e fortë, duke e bërë këtë përpjekje një konsensus të thellë kombëtar.”, pohoi nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu.
Ndërsa anëtarët e delegacionit francez vlerësuan reformat e ndërmarra deri më tani si dhe progresin e jashtëzakonshëm që është bërë me hapjen e të gjithë grupkapitujve brenda harkut kohor të një viti.
Ndërkohë për Spahiun “agjenda strategjike e reformave fokusohet në forcimin e shtetit të së drejtës, intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, modernizimin e administratës publike dhe sigurimin e sigurisë ligjore në investime dhe të drejtat e pronës.”
Palët vlerësuan gjithashtu partneritetin ekonomik në rritje mes dy vendeve, me projektet e shumta në fushën e turizmit ku rreth 10 projekte hoteliere nga markat më të mëdha franceze i kanë hapur rrugë investimeve në vend; Po ashtu u vlerësuan shkëmbimet kulturore ku krahas partneritetit me shkollën e Kanës, po punohet për rihapjen e Liceut Shkencor Francez në Korçë, me fokus teknologjinë dhe inovacionin. Në dukje u vendosën gjithashtu dhe lidhjet e ngushta politike mes dy vendeve.
