Një tjetër rast që pasqyron mënyrën se si lirimet me kusht janë përdorur si portë dalëse për kriminelët e njohur është ai i Astrit Avdylajt, kreu i bandës së Shijakut.
Në vitin 2017, Avdylaj arriti të fitonte lirinë falë një ekspertimi mjeko-ligjor, ku diagnostifikohet me “Depresion Endogjen” dhe shenja të vetëvrasjes.
Sipas këtij raporti, gjatë qëndrimit në burg, Avdylaj shfaqte simptoma të rënda psikiatrike, përfshirë deluzione dhe sjellje vetëdëmtuese. Bazuar në këto gjetje, gjykata e Lartë vendosi lirimin e tij.
Në vendim thuhet se ekspertiza vërteton faktin që të dënuarit i rrezikohet jeta në qeli. Ajo provë ka ndikimin kryesor për vendimin final të lirisë.
“Në kushtet kur prova shkencore arrin në përfundimin kategorik se personit të dënuar i rrezikohet jeta, vlerësimi i realitetit të rrezikut, i gravitetit të gjendjes, dhe mos reagimi i personit ndaj trajtimit mjekësor janë të gjitha elementë që duhet të përcaktohet nëpërmjet provës shkencore dhe jo sikundër ka vepruar në rastin konkret gjykata e themelit, duke i prezumuar të mirëqena mungesën e këtyre elementëve, duke e rrëzuar kërkesën mbi bazën një arsyetimi jo të hollësishëm e të detajuar.
Sapo doli nga burgu, Avdylaj jo vetëm që nuk kishte nevojë për trajtim mjekësor, por përkundrazi, mori kontrollin dhe drejtimin e grupit kriminal të Shijakut, duke u përfshirë në veprimtari të rënda. Ai u bë një figurë kyçe në organizimin e aktiviteteve kriminale, duke përdorur rrjetet e tij për të ndikuar edhe në skenën politike shqiptare siç rezultoi më pas.
‘Nisja e një hetimi disiplinor nuk është çështje emocioni, është çështje ligji është cështje standardi të shtetit të së drejtës. Dhe ky institucion ka këtë rol të ruajë balancën mes interest publik për të parë se si e administron drejtësinë një gjyqtar dhe prokuror nga njëra anë dhe nga ana tjetër pavarësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vendimmarrjet e veta, ndarjen e pushteteve’ u shpreh Artur Metani, drejtues i ILD
