Strukturat e emergjencave civile vazhdojnë monitorimin e situatës pas reshjeve intensive që kanë përfshirë disa qarqe të vendit. Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, situata ka nisur të stabilizohet në disa zona, ndërsa në qarqe si Vlora, Lezha dhe Fieri janë realizuar evakuime për shkak të rrezikut nga përmbytjet.
Qarku Vlorë – Evakuim i familjeve dhe monitorim i Vjosës
Në jug të vendit, lumi Vjosa ka pasur prurje të larta, duke detyruar evakuimin e 7 familjeve në Novoselë dhe 3 të tjera pranë urës së Mifolit. Të gjitha familjet janë sistemuar pranë të afërmve. Në Himarë, është hapur rruga që lidh fshatrat Shën Vasil dhe Nivicë, dhe vijon pastrimi i akseve të tjera. Ndërkohë, në Sarandë po monitorohet aksi Sarandë-Delvinë dhe punohet për forcimin e argjinaturës së lumit Bistricë, si dhe rikthimin e energjisë në tunelin e Llogarasë. Po ashtu, janë ndërhyrë në Ksamil, Metoq dhe Vrion për largimin e ujërave.
Qarku Fier – Përmbytje në toka bujqësore
Prurjet e lumit Vjosë kanë shkaktuar përmbytjen e 50-60 hektarëve tokë bujqësore në zonat Kashisht–Çervën–Ferras, ku është evakuuar një familje. Prej ujit, ka pasur përmbytje edhe në 30 oborre banesash. Pompave të ujësjellësit në Kafaraj u janë marrë masa stakuese si masë parandaluese. Në lumin Seman, prurjet janë rritur, por aktualisht nuk ka rrezik për banesat.
Qarku Korçë – Ndërhyrje për devijimin e ujërave
Në Dërsnik, Bulgarec dhe lagjën nr. 6 po kryhen punime për devijimin e ujërave, ndërkohë që në Sheqeras po ndërhyhet për pastrimin dhe stabilizimin e territorit. Po ashtu, kontraktorët po pastrojnë gurët e rënë në akset Qafë Plloçë–Qukës dhe Pogradec–Qafë Thanë.
Qarku Lezhë – Evakuim me varka për shkak të çarjes së argjinaturës
Në njësitë Shënkoll dhe Zejmen, niveli i ujit vazhdon të rritet për shkak të çarjes së argjinaturës së lagunës së Vainit. Evakuimi me varka është realizuar për disa familje, ndërsa punimet për riparimin e argjinaturës vijojnë. Situata është stabilizuar në Mirditë dhe niveli i lumit Drin ka rënë.
Qarku Durrës – Tërheqje e ujërave dhe pastrim i kanaleve
Lumenjtë Erzen, Ishëm dhe Zezë nuk kanë pasur rritje të nivelit, ndërsa janë duke u pastruar kanalet e Tonës dhe Tarinit. Lumi Erzen është tërhequr, dhe në Krujë është përfunduar forcimi i argjinaturës së lumit të Drojes. Gjithashtu, në disa zona bujqësore është vërejtur tërheqja e ujërave.
Qarku Dibër – Ndërhyrje në zona malore dhe pastrim rrugësh
Në Bulqizë, situata është stabilizuar, ndërsa puna vijon në rrugët e qytetit të vjetër. Ndërhyrje janë kryer gjithashtu në Luzni, Zall Dardhë dhe Muhur. Në Klos po pastrohen rrugët pas rrëshqitjeve të dherave me mbështetjen e Forcave të Armatosura.
Qarku Shkodër – Reshje intensive dhe pastrimi i rrugëve
Në Fushë-Arrëz po pastrohen rrugët nga prurjet, ndërsa në Malësinë e Madhe është rritur niveli i prurjeve në përroin e Thatë.
Qarku Berat – Monitorim i nivelit të lumit Osum
Niveli i lumit Osum është rritur, duke sjellë rrezik për lagjen Goricë. Po kryhen ndërhyrje nga UKT për stabilizimin e situatës. Në Poliçan ujërat janë tërhequr, ndërsa në Dimal ka ende prani uji në disa zona bujqësore.
