Reshjet e shiut vijojnë të shkaktojnë probleme serioze në disa qarqe të vendit, ndonëse në disa zona është shënuar një përmirësim i situatës. Në ditën e pestë të reshjeve, pasojat janë të rënda si për banesat, ashtu edhe për prodhimin bujqësor dhe blegtorinë.

Rreth 200 familje janë evakuuar, nga të cilat 150 janë rikthyer në shtëpi, ndërsa pjesa tjetër janë strehuar në konvikte dhe çadra për shkak të përmbytjeve të shumta.

Niveli i lartë i ujit solli daljen e lumit Seman nga shtrati në Bashkinë Dimal, duke përmbytur 110 hektarë sera me prodhime të stinës. Në këtë bashki, 500 hektarë tokë ndodhen nën ujë, ndërsa Goriçani është zona më e prekur. Banorët të cilët jetojnë kryesisht nga prodhimet serike përballen me humbje të mëdha, pasi mbjelljet janë prishur plotësisht.

Situatë e ngjashme paraqitet në Çiflig dhe Arrëz, ndërsa në Sarandë rreth 500 ha tokë bujqësore qëndron e përmbytur. Pasojat janë edhe më të rënda për blegtorinë, pasi 700 krerë bagëti janë mbytur në stalla. Megjithë përpjekjet e banorëve për t’i shpëtuar, uji i fut në stallat ende të mbushura, por tashmë të boshatisura nga gjëja e gjallë.

Në zonën Çukë–Bërdënesh, çarja e argjinaturës ka çuar në përmbytjen e 15 magazinave të produkteve ushqimore, duke shkaktuar humbje të tjera ekonomike.

Në qarkun e Vlorës, situata paraqitet më e stabilizuar. 22 familjet rome, që më herët ishin evakuuar, janë akomoduar në çadra dhe uji është tërhequr nga banesat dhe tokat bujqësore. Niveli i lumit Vjosë ka rënë me 4 metra dhe lumi është rikthyer brenda shtratit.

Nga ana tjetër, në Korçë, reshjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme te 150 familje dhe 300 hektarë toka me drithëra, ndërsa në Pogradec janë dëmtuar 25 hektarë të kultivuara me rrush dhe drithëra.

Përmbytjet dhe rrëshqitjet kanë goditur edhe infrastrukturën rrugore. Në aksin Qukës–Qafë Plloçë, pranë një tuneli, është shkëputur një masiv i madh dheu, duke bllokuar të gjithë qarkullimin. Kompania e mirëmbajtjes ka vendosur në funksion një bypass provizor.

Ndërkohë, zona të thella të jugut po përballen me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike, duke rënduar edhe më shumë situatën e banorëve.

Reshjet pritet të vijojnë me intensitet më të ulët, por autoritetet paralajmërojnë se përmbytjet e krijuara mund të vazhdojnë të shkaktojnë probleme edhe në ditët në vijim.