Deputeti Dashnor Sula ka njoftuar se do të garojë në zgjedhjet e 11 majit nën siglën e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, duke përfaqësuar demokratët e Elbasanit. Ai shprehu mirënjohje për Adriatik Lapajn, Endri Shabanin dhe Pano Sokon për ftesën, ndërsa theksoi se vendimi për t’u larguar nga Partia Demokratike nuk ishte i tij.

Sula theksoi se për 20 vite ka kontribuar për PD-në pa kërkuar përfitime, por nuk mund të pranonte që angazhimi i tij të hidhej poshtë vetëm për mbështetjen e tij ndaj reformës në drejtësi. Ai premtoi se do të vijojë të mbështesë SPAK-un edhe në Parlamentin e ardhshëm, duke e konsideruar atë si një institucion të rëndësishëm për vendin.

Dashnor Sula: Të dashur miq,

Jam i lumtur t’u njoftoj se demokratët e Elbasanit do ti përfaqësoj në Parlamentin e ardhshëm nën siglën e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.
U jam shumë mirënjohës Adriatik Lapaj, Endri Shabani dhe Pano Soko, këtyre djemve të rinj dhe të papërfolur, që më ftuan të kandidoj në zgjedhjet e 11 majit. Unë i falenderoj dhe shpreh mirënjohje edhe për drejtuesit e forcave te tjera politike që për etikë nuk po i përmend që më ftuan të bashkohesha në ekipin e tyre pas medalies që më dhanë si “SPAKIST”. Mendoj se Shqipëria Bëhet dhe bëhet vetëm me djem të rinj.

Nga sot, do të nis takimet me përkrahësit e mi, të cilët edhe në një ditë shumë të vështirë si ajo e djeshmja, më qëndruan pranë dhe më mbështetën.
U kërkoj ndjesë të gjithë atyre që nuk kam arritur tu përgjigjem, ju falenderoj përzermërsisht për fjalët.

Ma besoni, nuk ishte zgjedhja ime të largohesha nga Partia Demokratike. I kam dhënë asaj partie 20 vite të jetës sime politike, pa i kërkuar asnjë ofiq në kohën kur ishte në pushtet.

Kam sakrifikuar kohën time, i kam hyrë në hak familjes sime dhe fëmijëve të mi, për të punuar çdo ditë për PD-në, por nuk mund të lejoja që kontributi im të hidhej në koshin e plehrave vetëm se kam shprehur mbështetjen time të palëkundur për institucionet e reformës në Drejtësi. Po e them që tani, SPAK-ist do të jem edhe në Parlamentin e ardhshëm sepse besoj që po i bën vendit një shërbim që kjo klasë politike nuk ka arritur t’ia bëjë në 35 vite.

Na priftë e mbara deri në 11 Maj!