Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka komentuar me tone të ashpra takimi ne zhvilluar dje nga Ervin Salianji me anëtarët dhe demokratët në Durrës.
Berisha tha se është mashtrim deklarata e Salianjit se militantët e PD janë braktisur, teksa e cilësoi nismën si një “axhendë personale”. Më tej, Berisha tha se demokratët e braktisën këtë lëvizje.
“Nuk ka asnjë foltore personale. Ai është një anëtar kryesie, i cili nuk ka shprehur asnjë nga këto probleme në asnjë mbledhje. Është me detyrë të bëjë analizë. Ai ka axhendë personale. E di unë sa ishte salla, i uroj demokratët e Durrësit që nuk u mashtruan. Të deklarosh që militanti demokrat nuk dëgjohet është mashtrim. Të ndjekësh një axhendë personale është një zgjidhje që unë nuk kam asnjë problem. Le të vazhdojë. Edhe njëherë, përgëzoj anëtarët dhe strukturat e Durrësit që e braktisën. Ata që shkuan ishin një grup të pakënaqurish dhe njerëz që nuk u futën në lista. Po ashtu ka dhe njerëz që punojnë për Partinë Socialiste. Janë ata që tradhtuan militantët. Do japin llogari para strukturave, këtu janë dhe ata që braktisën militantët dhe zgjodhën turizmin në mes të fushatës. U garantoj që do ketë llogaridhënie nga të gjithë. Salianji ka një zonë ku duhet të bëjë analizën. Ai ka të drejtë të shtrojë çdo gjë në kryesi.”– tha Berisha.



