Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë u shoqërua me tensione të forta dhe përplasje të dhunshme, pasi deputetët e opozitës, të udhëhequr nga Partia Demokratike, “pushtuan” vendet e ministrave në një aksion proteste. Ata ndezën flakadanë dhe hodhën shishe uji, si dhe sende të tjera drejt kryeparlamentarit Niko Peleshi, duke shkaktuar kaos në sallën e Kuvendit. Kjo situatë ka sjellë ndërprerjen e seancës dhe përshkallëzimin e përplasjes fizike dhe verbale mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.

Protesta e opozitës kishte një mesazh të qartë, kërkesën për që zv/kryeministren Belinda Balluku të përballet me drejtësinë pas akuzave të ngritura ndaj saj nga SPAK për keqpërdorim të detyrës dhe abuzime me tendera. Deputetët e PD-së mbajnë edhe pankarta ironizuese, ku shkruhej “O Bela Ciao”, një aludim në një këngë italiane, që është përdorur për të tallur Ballukun dhe për t’i bërë thirrje largimit të saj nga qeveria.

Opozita akuzon kryeministrin Edi Rama për mbrojtjen e zv/kryeministres, duke e konsideruar atë përgjegjës për mbulimin e këtyre akuzave. Ajo kërkon që Balluku të japë llogari për akuzat, ndërsa vazhdon të kërkojë që kjo çështje të kalojë në drejtësi, duke i bërë thirrje institucioneve të pavarura që të ndërmarrin veprime konkrete.

Ndërsa tensionet në Kuvend vazhdojnë, përplasjet mes opozitës dhe mazhorancës mbeten të forta dhe ngjallin shqetësim për stabilitetin politik në vend.