Partia Demokratike ka reaguar për mungesën e pjesëmarrjes së deputetëve të PD në mitingun e organizuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Tiranë, pasi u përfol se ata kanë marrë urdhër për të mos iu bashkuar.
Zyra e shtypit të PD ka hedhur poshtë këto pretendime, ndërsa sqaron se nuk është dhënë asnjë urdhër, verbal apo me shkrim, që përfaqësues apo mbështetës të saj, të mos jenë në mitingun mbështetës për ish-krerët e UÇK-së. PD thekson se kauza e UÇK, lufta e saj dhe e popullit shqiptar të Kosovës, janë jo vetëm të drejta, por edhe pjesë e nderit të përjetshëm të kombit dhe çështjes kombëtare shqiptare.
“Partia Demokratike nuk ka dhënë asnjë urdhër, verbal apo me shkrim, që përfaqësues apo mbështetës të saj, të mos jenë në mitingun mbështetës për ish-krerët e UÇK-së, në proces gjyqësor në Hagë. Spekulimi banal i ndonjë medieje se ky urdhër ekziston është pjesa e skenarit të përhershëm anti-opozitar te Ramaduros dhe Partia Demokratike e hedh poshtë si të tillë.
Siç theksohet në deklaratën e Partisë Demokratike të sapo hedhur dhe në qëndrimet e ditëve të fundit dhe të përhershme të kryetarit të saj, Berisha, kauza e UÇK, lufta e saj dhe e popullit shqiptar të Kosovës, janë jo vetëm të drejta, por edhe pjesë e nderit të përjetshëm të kombit dhe çështjes kombëtare shqiptare”, ka njoftuar zyra e shtypit të PD.