Vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë në favor të të dëmtuarve, disa çështje në gjykatat e rrethit dhe çfarë parashikon Kodi Civil
Të gjymtuarit nga aksidente të ndryshme, apo familjarët e të aksidentuarve me vdekje, kanë vënë me “shpatulla pas muri” institucione apo shoqëri sigurimesh, duke u marrë miliona lekë në formë dëmshpërblimi. Më parë, ngjarje të tilla quheshin “aksidente normale në punë apo rrugë”, teksa kohët e fundit shumë individë kanë fituar procese gjyqësore, megjithëse rruga ka qenë shumë e gjatë. Ndërkohë, mijëra çështje të tjera mbesin “rrugës”, pasi drejtësia i cilëson fajtorë pikërisht të dëmtuarit. Gazeta “Shqip” ka publikuar në një seri shkrimesh disa procese të tilla gjyqësore, ku e aksidentuara e Himarës, Eriselda Gubere, ka përfituar rreth 40 milionë lekë. Ndërkohë, familja e një personi, të cilin e zuri korrenti në rrugë, ka përfituar 220 milionë lekë (të vjetra) në formën e dëmshpërblimit nga OSHEE. Ndërkohë, në një rast tjetër, një familje pasi ka fituar gjyqin dhe ka marrë miliona lekë, u “tradhtua” nga avokati i cili u mori dëmshpërblimin.
Vendime unifikuese
Duke u thelluar te baza ligjore, gazeta ka mësuar se vendimet në fjalë burojnë në disa vendime unifikuese të Gjykatës së Lartë, apo edhe në Kodin Civil. Krahas këtyre të aksidentuarve, apo familjeve të personave që kanë humbur jetën, shumë të tjerë janë në procese të hapura gjyqësore, apo presin një vendim të çështjes penale. Kështu, disa vendime unifikuese apo të thjeshta të Gjykatës së Lartë të vitit 2007 apo 2014, kanë përcaktuar se kur duhet të jepet dëmshpërblimi. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë unifikuar se çdo subjekt i cenuar në të drejta dhe interesa të ligjshme personale e pasurore nga fakti i paligjshëm, edhe nëse nuk është ai vetë subjekti pasiv i atij fakti, ka të drejtën subjektive, legjitimimin aktiv, për të kërkuar dëmshpërblimin e dëmit pasuror e jopasuror të pësuar. Ky legjitimim aktiv, në parim, nuk kushtëzohet me gëzimin e cilësisë së trashëgimtarit të një personi të dëmtuar, por vetëm me cilësinë e vetë paditësit si i dëmtuar nga fakti i paligjshëm.
Gjykata ka unifikuar se, si rregull, legjitimim aktiv ka secili person që bën pjesë në lidhjen më të afërt gjinore familjare me të lënduarin në shëndetin e tij, përkatësisht me viktimën. Në rrethin e personave që kanë legjitimim aktiv përfshihen, në pozitë të njëjtë me fëmijën e mitur dhe bashkëshortin, përkatësisht, edhe fëmija kur lind i gjallë dhe personi që vërteton ekzistencën e bashkëjetesës së qëndrueshme ndjesore dhe ekonomike me të lënduarin a viktimën. I mbetet shkaktuesit të dëmit, thotë gjykata, barra e provës të vërtetojë të kundërtën. Në lidhje me dëmshpërblimin, gjykata thotë se atë e vlerësojnë ekspertët, për dëmin moral, biologjik dhe ekzistencial. Sipas vendimeve që gazeta “Shqip” disponon, trashëgimtarët e parë (nëna, babai, gruaja apo fëmijët) mund të përfitojnë deri në 100 milionë lekë (të vjetra), nëse i afërmi i tyre është aksidentuar me vdekje. Ndërkohë, trashëgimtarët e dytë (vëllai apo motra) mund të përfitojnë mbi 50 milionë lekë. Në rast se aksidenti është me gjymtime, atëherë shpërblimi përgjysmohet.
Kodi Civil
Dëmshpërblimet parashikohen edhe në Kodin Civil. Në nenin 608 thuhet se “Personi që në mënyrë të paligjshme dhe me faj i shkakton tjetrit një dëm në personin ose në pasurinë e tij, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar. Personi që ka shkaktuar dëmin nuk përgjigjet kur provon se nuk ka faj. Dëmi quhet i paligjshëm kur është rrjedhim i shkeljes ose i cenimit të interesave dhe i të drejtave të tjetrit, që mbrohen nga rendi juridik ose nga zakonet e mira”. Në një nen pasardhës në Kodin Civil thuhet se “dëmi duhet të jetë rrjedhim i drejtpërdrejtë dhe i menjëhershëm i veprimit ose mosveprimit të personit. Mospengimi i një ngjarjeje nga personi që ka detyrimin ligjor për ta mënjanuar, e ngarkon atë me përgjegjësi për dëmin e shkaktuar”. Nën nenin 622 thuhet se personi që kryen një veprimtari të rrezikshme nga natyra e saj ose nga natyra e sendeve të përdorura dhe u shkakton dëm personave të tjerë, detyrohet të shpërblejë dëmin, përveç kur provon se ka përdorur të gjitha masat e përshtatshme e të nevojshme për mënjanimin e dëmit. Më pas thuhet se kur është shkaktuar vdekja e një personi, dëmi që duhet të shpërblejë përbëhet nga: a) shpenzimet për ushqim e jetesë të fëmijëve të tij të mitur, të bashkëshortes dhe prindërve të paaftë për punë që kanë qenë në ngarkim të të vdekurit, plotësisht ose pjesërisht, si dhe të personave që banonin në familjen e të vdekurit dhe që gëzonin prej tij të drejtën e ushqimit; b) shpenzimet e duhura për varrimin e të vdekurit, në masën që ato u përgjigjen rrethanave personale e familjare të të vdekurit”. s.ç
Si dëmshpërblehesh sipas Kodit Civil
1 – “Personi që, në mënyrë të paligjshme dhe me faj, i shkakton tjetrit një dëm në personin ose në pasurinë e tij, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar. Personi që ka shkaktuar dëmin nuk përgjigjet kur provon se nuk ka faj. Dëmi quhet i paligjshëm kur është rrjedhim i shkeljes ose i cenimit të interesave dhe i të drejtave të tjetrit, që mbrohen nga rendi juridik ose nga zakonet e mira”
2 – “Dëmi duhet të jetë rrjedhim i drejtpërdrejtë dhe i menjëhershëm i veprimit ose mosveprimit të personit. Mospengimi i një ngjarjeje nga personi që ka detyrimin ligjor për ta mënjanuar, e ngarkon atë me përgjegjësi për dëmin e shkaktuar”
3 – “Personi që pëson një dëm jopasuror ka të drejtë të shpërblehet kur: a) ka pësuar një dëmtim të shëndetit, të integritetit fizik ose psikik të tij; b) është cenuar nderi, personaliteti ose reputacioni i tij; c) është cenuar e drejta e emrit; ç) është cenuar respektimi i jetës private; d) është cenuar kujtimi i një të vdekuri. Në këtë rast bashkëshorti i personit të vdekur ose të afërmit e tij deri në shkallë të dytë mund të kërkojnë shpërblimin e dëmit jopasuror”
4 – Kushtet që duhet të përmbushen që të lindë detyrimi nga shkaktimi i dëmit jashtëkontraktor.
- ekzistenca e paligjshmërisë së veprimit;
- të ekzistojë dëmi;
- ekzistenca e fajit;
- lidhja shkakësore midis veprimit ose mosveprimit dhe pasojës (dëmit) të ardhur.
Çfarë përfiton
Kur është shkaktuar vdekja e një personi, dëmi që duhet të shpërblejë përbëhet nga:
- a) shpenzimet për ushqim e jetesë të fëmijëve të tij të mitur, të bashkëshortes dhe prindërve të paaftë për punë që kanë qenë në ngarkim të të vdekurit, plotësisht ose pjesërisht, si dhe të personave që banonin në familjen e të vdekurit dhe që gëzonin prej tij të drejtën e ushqimit;
- b) shpenzimet e duhura për varrimin e të vdekurit, në masën që ato u përgjigjen rrethanave personale e familjare të të vdekurit”