Reshjet


0960Mungesa e fondeve nuk ka krijuar probleme vetëm me rritjen e pagave, por edhe me projekte të bashkive të tjera në vend. Rasti konkret është në Lezhë, ku për shkak të fondeve, rrugët e dëmtuara nuk mund të riparohen, pavarësisht se projektet janë gati. Reshjet e javëve të fundit kanë dëmtuar ndjeshëm rrugët që të çojnë drejt fshatrave të Lezhës. Thellimi i gropave për shkak të lagështirës, mbushja e tyre me ujë si dhe rrëshqitjet nga pjesët anësore të tyre janë mjaft shqetësuese për banorët e zonave të thella. Më problematike, situata e rrugëve rurale është në Mirditë, ku nuk ka pasur kurrë investime. Projektet për rikonstruksionin e rrugëve të kësaj zone janë hartuar prej kohësh, por ndërmarrja e rrugëve nuk ka fonde për zbatimin e tyre. “Të gjitha rrugët rurale që posedon Ndërmarrja e Rrugëve të Qarkut të Lezhës, janë të kalueshme. Për sa i takon cilësisë, natyrisht reshjet kanë bërë punën e tyre. Ne vetë si ndërmarrje nuk kemi kapacitete, nuk kemi forca, nuk kemi potencial ekonomik dhe teknik që të bëjmë projektin”, tha Pashk Biba, drejtor i Rrugëve Rurale Lezhë. Drejtori i Rrugëve Rurale bën të ditur se dëmtimi i rrugëve vështirëson qarkullimin, por ato gjithsesi janë të kalueshme. Sipas Pashk Bibës, që pas viteve ‘90 është ndërhyrë në 70 për qind të rrugëve rurale, por ato kanë nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme. A. B.