Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer sot në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale në Hagë, që është ngritur për të gjykuar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai e ka cilësuar Prokurorinë Speciale si një “prokurori idiotësh”, duke akuzuar se ata janë kthyer në instrumente politike, më keq se sa prokuroritë e Serbisë.

Rama ka shprehur indinjatën e tij për mënyrën se si po zhvillohet procesi në Hagë, duke theksuar se është një katastrofë për drejtësinë dhe për shumë shtete demokratike që e ndjekin këtë proces në heshtje. Ai ka akuzuar komunitetin ndërkombëtar për mosveprim dhe për heshtjen që po mbajnë përballë këtij procesi, që po rrezikon të sjellë dënime për katër krerët e UÇK.

Rama ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale, duke theksuar se ajo është përdorur si një mjet për të dënuar liderët e Kosovës, pavarësisht arritjeve të mëdha që ka pasur UÇK-ja në luftën për çlirimin e Kosovës. Komentet e tij janë bërë në një periudhë kur diskutimet dhe polemikat rreth procesit të Gjykatës Speciale dhe akuzave ndaj liderëve të UÇK janë intensifikuar në Kosovë dhe më gjerë.

“Është prokurori idiote. Ata nuk janë vetëm idiotë, por instrumente edhe më politike se gjykatat në Serbi, në raport me Kosovën. Me ligjet e kohës, nëse i referohemi, kur ka ndodhur lufta, nëse UÇK nuk do ta fitonte luftën dhe populli nuk do të çlirohej, në gjykatat e asaj Serbie nuk do të gjykojë kush. 45 vite, varrosje për së gjalli e njerëzve. Drejtësia ndërkombëtare, e financuar nga shtetet demokratike që për turpin e tyre vazhdojnë ta ndjekin këtë katastrofë për Europën dhe botën demokratike, për 4 njerëz krejtësisht të pafajshëm. Kjo bën fatkeqësisht që ne sot të ngremë një pikëpyetje për veten tonë se çfarë mund dhe duhet të bëjmë! Nuk e kam përgjigjen për këtë.”, tha ai.