Zëvendëskryeministri shqiptar i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një reagim në Facebook, Gjeloshaj e cilësoi vendimin e shkallës së parë si “jashtëzakonisht të padrejtë”, duke theksuar se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar ende.
Ai shprehet se beson se në instancat më të larta do të dëshmohet pafajësia e të akuzuarve.
“Lajm shumë i keq dhe një vendim jashtëzakonisht i padrejtë!”, shkruan Gjeloshaj, duke shtuar se qëndrimi i të akuzuarve dhe vijimi i betejës ligjore i japin, sipas tij, forcë shqiptarëve për të përballuar këtë situatë.
Gjeloshaj e cilëson luftën e UÇK-së si “vetëmbrojtëse, çlirimtare dhe të drejtë”, ndërsa thekson se ajo ishte një luftë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në reagimin e tij, ai nënvizon gjithashtu se të akuzuarit janë paraqitur përpara institucioneve ndërkombëtare dhe se do ta vijojnë procesin gjyqësor deri në përfundim.
Në pjesën e fundit të deklaratës, Gjeloshaj iu përgjigjet edhe debateve të krijuara rreth një deklarate të mëparshme të tij, duke pretenduar se fjalët e tij janë nxjerrë jashtë kontekstit. Ai sjell si shembull rastin e ish-gjeneralit kroat Ante Gotovina, i cili u shpall i pafajshëm në shkallën e dytë pas një vendimi fillestar dënues.
“Besojmë deri në fund; beteja për drejtësi vazhdon”, përfundon zëvendëskryeministri malazez.
