Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë.

Në një deklaratë për mediat, Vuçiç tha se Serbia duhet të ruajë paqen dhe stabilitetin dhe të përballet me të kaluarën përmes dialogut.

Ai kritikoi gjithashtu Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke argumentuar se në vendimin e shpallur nuk janë përfshirë disa prej akuzave për krime të pretenduara ndaj serbëve.

“E gjithë kjo nuk u mor parasysh. Nuk kemi arsye të jemi as të lumtur, as të trishtuar”, u shpreh Vuçiç, duke iu referuar vendimit.

Aktgjykimi i shkallës së parë i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për krime lufte, ndërsa gjykata i shpalli të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet, në një total prej 81 vitesh.

Vuçiç pritet të flasë publikisht edhe për zhvillimet pas vendimit të Hagës dhe situatën në rajon.