Komisionerja evropiane për Zgjerimin Marta Kos, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ajo i cilësoi Dhomat e Specializuara si një organ gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, duke theksuar se vendimet e tyre duhet të respektohen, ndërsa të dënuarit kanë të drejtën e ankimit.

Në fjalën e saj, Kos nënvizoi se procesi lidhet me përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Ajo u bëri thirrje aktorëve në rajon që të kontribuojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës, duke theksuar se pajtimi është i nevojshëm që vendet e rajonit të kapërcejnë ndasitë dhe të ecin përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët në Bashkimin Evropian.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur. Vendimet e tyre duhet të respektohen dhe të dënuarit kanë të drejtë ankese. Bëhet fjalë për përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

U bëj thirrje aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës. Vetëm përmes pajtimit, vendet e rajonit mund t’i kapërcejnë ndasitë dhe të ecin përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE.”, u shpreh Marta Kos.