Vendimi
Gjykata: Semidion Daja merrte 30-50 mijë lekë për banesë dhe subjekt. Energjia matej 60% më pak
Një elektricist pranë CEZ Shpërndarje, është shpallur fajtor nga gjykata për ndërhyrje në matësit e energjisë, duke u dënuar vetëm me kusht për korrupsion pasiv. Sipas vendimit të gjykatës, Semidion Daja, merrte ryshfet nga persona të ndryshëm për t’u ulur energjinë e konsumuar brenda një muaji. Pagesa ishte rreth 30 mijë lekë për banesat dhe 50 mijë lekë për subjektet private. Nga ndërhyrja e Dajës “klientët” arrinin të paguanin rreth 60 për qind të energjisë më pak.
Hetimet për të kanë nisur pas denoncimit të shtetasit Albert M., i punësuar me punë të pjesshme në një lokal bastesh sportive në afërsi të shkollës “Vasil Shanto”. Ai është njohur në rrethana rastësore me shtetasin Semidion Daja. Në bisedë e sipër, ai ka mësuar se i pandehuri në detyrën e tij si elektricist, mundëson ndërhyrje në matësit elektrikë të subjekteve me qëllim që këta të fundit të paguanin më pak konsum të energjisë elektrike, nga sa konsumonin realisht. Në kallëzimin e tij, ai ka pohuar se pasi ka marrë propozimin e të pandehurit për një ndërhyrje të tillë, ai ka mësuar njëkohësisht prej tij edhe shumat që duhet të paguanin të interesuarit për realizimin e manipulimit të aparateve matës elektrikë, shuma të cilat varionin 30 mijë lekë për banesë dhe 50 mijë lekë për subjektin privat. Denoncuesi njoftoi se ai kishte rënë dakord me të pandehurin kundrejt shumës 30 mijë lekë që ai t’i ndërhynte në matësin e tij elektrik në banesë. Ky shtetas ka pranuar dhe nënshkruar bashkëpunimin me organet policore nëpërmjet kryerjes së veprimeve simuluese të autorizuara në datën 27 maj 2013, si përgjime ambientale apo telefonike.
Sipas gjykatës, i pandehuri i mbajtur nën vëzhgim, ka shkuar në banesën e denoncuesit dhe ka realizuar ndërhyrjen në matësin elektrik, duke mundësuar matjen e konsumit të energjisë elektrike në familjen e tij 60% më pak se konsumi faktik, si edhe duke marrë shumën prej 30.000 lekësh. Me ndërhyrjen e forcave policore, pas kthimit të të pandehurit me automjetin e tij dhe kontrollit të tij personal, është gjetur dhe sekuestruar shuma prej 30 mijë lekësh, paguar atij dhe të identifikuara sipas numrit të kartëmonedhave të ofruara nga shërbimet policore. Gjykata pranoi gjykimin e shkurtuar, ndërsa në seancë i pandehuri shfaqi një pendim të thellë. Në fund, Kolegji Penal e dënoi me rreth 16 muaj burg, por, ia konvertoi me kusht, në mënyrë që elektricisti të mos kryejë vepër penale për dy vjet. S. Çobo