Gjykata e Brescias ka dhënë vendimin për një prej proceseve më të rëndësishme kundër trafikut ndërkombëtar të drogës në Itali, duke dënuar me tetë vite burg shtetasin shqiptar Genti Berisha. Ai është i njëjti person që më 23 qershor u përfshi në aksidentin tragjik në Peschiera Borromeo, ku humbi jetën efektivi i policisë lokale, Francesco Imprezzabile.
Në total, gjykata shqiptoi 15 dënime që arrijnë në rreth 100 vite burg për anëtarët e organizatës kriminale, e cila akuzohet për importimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Italisë.
Sipas mediave italiane, ndër të dënuarit spikasin edhe dy vëllezër shqiptarë me origjinë nga Elbasani, Gerardo dhe Shkëlqim Pashja, të cilët konsiderohen nga hetuesit si drejtuesit e degës së organizatës në Brescia dhe të lidhur me klanin kriminal “Çela”. Ata u dënuan me rreth 14 dhe 15 vite burg.
Sipas dosjes hetimore, qeliza e Brescias kishte ngritur një strukturë të mirëorganizuar për pritjen, magazinimin dhe shpërndarjen e kokainës. Në aktivitetin e saj përfshiheshin edhe disa shtetas italianë, të cilët merreshin me transportin, ruajtjen e drogës dhe koordinimin e kontakteve me nivelet drejtuese të organizatës.
Hetimi nisi të merrte formë në nëntor të vitit 2021, kur Policia Rrugore në Verona ndaloi një kamion në autostradë dhe zbuloi 250 kilogramë kokainë të pastër, një ngarkesë që sipas hetuesve ishte destinuar për rrjetin kriminal në Brescia.
Përmes përgjimeve telefonike, vëzhgimeve dhe bashkëpunimit mes autoriteteve italiane dhe shqiptare, u arrit të dokumentohej mënyra e funksionimit të organizatës. Sipas prokurorisë, drejtuesit e grupit udhëtonin shpesh në Kolumbi, Ekuador dhe vende të tjera të Amerikës së Jugut për të negociuar blerjen e kokainës, ndërsa takime zhvillonin edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ngarkesat mbërrinin fillimisht në portet e Belgjikës dhe Holandës, ku organizata kishte bashkëpunëtorë në radhët e punonjësve portualë. Më pas droga transportohej me kamionë të modifikuar drejt depove të fshehta në Brescia, për t’u shpërndarë më tej në qytete të ndryshme të Italisë Veriore.
Prokurorja Roberta Panico, e cila drejtoi hetimin, tha se zbardhja e aktivitetit të grupit ishte veçanërisht e vështirë për shkak të masave të larta të sigurisë që përdornin anëtarët e tij.
“Gjurmimi i lëvizjeve të këtij grupi nuk ishte aspak i lehtë. Ata komunikonin ekskluzivisht përmes telefonave të koduar, duke u përpjekur t’i shmangeshin çdo forme përgjimi”, u shpreh ajo.
