Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 12 vite burg Emiljan Bubën i akuzuar për veprat penale “Trafikimit të lëndëve narkotike” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Elsa Ulliri dhe Erjon Çela.

Për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, Emiljan Burba do të qëndrojë pas hekurave vetëm 8 vite.

Emiljan Burba, akuzohet për trafikimin e rreth gjysmë toni drogë hashash me kamion paletash druri industrial drejt Austrisë, rast i goditur nga Policia Kufitare e Shkodrës dhe Antidroga në muajin shtator të vitit 2023.

Gjithashtu ai njihet dhe si miku i Aldo Bares (drejtues i Bandës së Lushnjës, i burgosur) ndërsa iu konfiskuan dy resorte në vlerë 3 mln euro pak kohë më parë nga SPAK. Resortet e konfiskuara dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e Burbës, që ka qenë i dënuar në Itali më 2014 me 21 vite burg për trafik droge dhe ky rezulton se është precedenti i dytë i tij.

Operacioni për kapjen e ngarkesës prej 442.084 kg hashash u zhvillua më 17.09.2023 rreth orës 00:30 në pikën e kalimit të Hanit të Hotit në hyrje të Malit të Zi. Kjo ngarkesë u zbulua gjatë kontrollit të një mjeti motorik të tonazhit të rëndë të markës “Renault” me targa AB948IX dhe rimorkion e markës “Krone”, me targa AJR363, të drejtuar nga shtetasi Ilirjan Orhan dhe me pasagjer Kristi Orhan.

Këta dy persona, të cilët u arrestuan në flagrancë, ransportonin paleta për në Republikën e Austrisë dhe brenda tyre ishin fshehur 73 pako të mëdha PVC (Polivinil Kloruri) dhe 112 pako më të vogla, te mbështjella me natriban, sqarohet në dosjen hetimore të SPAK.

Hetimet treguan se skema e përdorur për trafikimin e narkotikëve bëhej përmes krijimit dhe regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) të disa subjekteve tregtare fiktive (pa aktivitet tregtar, adresë reale dhe me dokumente të falsifikuara), në emër të të cilëve lëshoheshin faturat e eksportimit të mallrave që ngarkoheshin më pas në mjete transporti, të regjistruar me dokumente të falsifikuara, ku fshihej lënda narkotike, me qëllim trafikimin. Kjo skemë tregonte një shkallë të lartë organizimi, e sofistikuar dhe tipike për një grup të strukturuar kriminal.

Burba është një emër i njohur për organet ligjzbatuese, pasi edhe në vitin 2014 rezulton i arrestuar për llogari të Italisë, me akuzën trafik të lëndëve narkotike. Gjykata e Apelit në Torino, Itali, me vendimin e datës 15.04.2014, e kishte dënuar me 21 vjet burgim, për veprën penale të “trafikimit të drogës”.