Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka dënuar me 10 muaj burg Aleksandër Lahon, i njohur me nofkën “Rrumi i Shijakut’, në lidhje me akuzën për korrupsion.

Nga hetimet e SPAK rezulton se, Irgen Kërçuku, i cili në atë kohë mbante detyrën e avokatit të shtetit, ka marrë një shumë prej 900 000 lekësh të reja nga Aleksandër Laho, për të mos marrë pjesë në procesin gjyqësor me palë ndërgjyqëse paditës Pal Seçuni, palë e paditur ZVRPP Durrës dhe palë e tretë Avokatura e Shtetit si dhe për të mos bërë në vijim ankim në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

Aleksandër Laho akuzohet se ka tjetërsuar 45 mijë metra katrorë tokë në bregdetin e Gjirit të Lalzit. Sipas të dhënave në dosjen hetimore, Prokuroria ka prova të forta, siç janë 2 video që u gjetën në telefonin e Aleksandër Lahos, që mendohet të jenë regjistruar në vitin 2017.

“Rrumi” i Shijakut shfaqet duke i dhënë ryshfet përfaqësuesit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, në mënyrë që ky i fundit të tërhiqej nga ankimi i procesit gjyqësor të tjetërsimit të 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.