Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë një denoncim në lidhje me procesin zgjedhor, duke akuzuar qeverinë Rama për blerje masive votash dhe përdorim të fondeve publike në funksion të fushatës.
Gjatë një deklarate për media, Berisha publikoi një video që, sipas tij, tregon momentin e shpërndarjes së parave për vota në zonën e Babrrusë, në Tiranë.
“Narkoqeveria e kreut të organizatës kriminale, Edi Ramës, nuk u mjaftua me shpërndarjen e 76 milionë eurove, 100 euro për pensionist, në total 48 përqind të votuesve për blerjen e votës. Me dhurimin e 200 milionë eurove gjoba dhe kamata 2 ditë para zgjedhjeve.
Nuk u mjaftua me firmosjen e dhjetëra mijëra lejeve të legalizimit, certifikatave të pronësisë. Me përdorimin e dhjetëra mijëra automjeteve, të gjitha të shtetit dhe pa asnjë lidhje me fushatat elektorale. Nuk u mjaftua me punësimin e mbi 10 mijë punonjësve për votë në qeverisjen lokale dhe qendrore, por ajo kaloi direkt dhe në blerje vote duke shpërndarë fshehtas para për zgjedhësit shqiptarë.
Natyrisht shpërndarja e fshehtë e parave është vështirë të kapet sepse ata që kryejnë këtë krim elektoral, bëjnë çdo gjë që të fshihen gjurmët e tij dhe të mos dalë. Megjithatë kamerat e qytetarëve syçelët kanë filmuar momentin kriminal të ndarjes së parave për vota. Dhe kjo jo të themi pas Dajtit apo në Mokër apo në Tropojë apo në zonat më të largëta. Jo, kjo në Tiranë, në Babrru dhe urdhëroni videon që do u paraqes sot para jush”– tha Berisha.



