Skandali
Nga “dhunuese” e grave, sot ndan paratë e personave me paaftësi
Skandali i denoncuar disa muaj më parë në emisionin Fiks Fare” mbi dhunën psikologjike që ushtronte drejtoresha e Qendrës për Mbrojtjen e Dhunës ndaj Grave, Dodona Kaloshi, jo vetëm që nuk u dënua, por lëshoi “rrënjë” më të thella. Zyrtarisht mësohet se Dodona Kaloshi nuk është më në krye të institucionit të vetëm shtetëror në vend, që mbron dhe kujdeset për gratë e dhunuara. Ajo është larguar nga detyra pak muaj më parë, ndërsa është ngritur në detyrë në një tjetër institucion shtetëror, konkretisht në Shërbimin Social Shtetëror.
Në organigramën e këtij institucioni, emri i ish-drejtoreshës e cila u denoncua nga “Fiks Fare” për dhunën psikologjike që ushtronte ndaj grave të dhunuara, listohet në një post të rëndësishëm.
Dodona Kaloshi, sot është drejtoresha e drejtorisë së komisionimit, programimit dhe monitorimit të personave me aftësi të kufizuara. Kështu, ajo programon dhe përcakton buxhetin për personat me paaftësi, edhe pas jehonës së bujshme që pati denoncimi i këtij skandali në median shqiptare, në atë të huaj si edhe në radhët e institucioneve përgjegjëse në vend, ku Avokati i Popullit, pas verifikimeve të fakteve që paraqiti “Fiks Fare” kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të saj.
Skandali
Largohen nga dhuna familjare dhe përfundojnë në dhunë institucionale. Ky ishte realiteti që emisioni investigativ “Fiks Fare” solli në vëmendjen e opinionit publik nëpërmjet një investigimi disaditor të kryer në Qendrën e vetme Kombëtare për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës në Familje. Shkas për këtë janë bërë informacionet e marra në rrugë operative nga gazetarët, të cilët kanë nisur investigimin fillimisht me tri gra, të cilat braktisën një javë më parë qendrën e viktimave të dhunës në familje, pasi kishin provuar dhunën psikologjike të drejtuesve të këtij institucioni. Tri gratë e dhunuara kanë treguar për “Fiks Fare” se gjatë qëndrimit të tyre në qendër ofendoheshin sistematikisht nga drejtoresha e këtij institucioni, Dodona Kaloshi. Kjo ka qenë pikënisja e tyre për të braktisur qendrën së bashku me fëmijët e tyre dhe për t’iu drejtuar për ndihmë emisionit investigativ “Fiks Fare”. Gratë treguan se kishin rrezikshmëri të lartë për jetën, gjë që e vërtetojnë dhe me urdhrat e mbrojtjes të vendosura nga gjykatat. Edhe pse të rrezikuara, ato kanë dalë të vetme nga qendra në orë të vonë, duke mos u shoqëruar nga asnjë organ kompetent për mbrojtjen e tyre. Investigimi i gazetarëve vazhdoi me një vizitë në Qendrën e vetme Kombëtare për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës në Familje. Nga këtu gazetarët sjellin një fakt rrëqethës, ku njëra prej viktimave rrëfen se teksa dilte nga qendra e vetme që duhet t’i ruajë ata, është dhunuar barbarisht nga ish-bashkëshorti i saj duke humbur kështu dhe njërin sy. Disa prej grave kanë treguar se asnjëherë nuk kanë pasur seanca me psikolog, edhe pse gjendja e tyre emocionale ka qenë e rënduar. Sipas të dhënave shkresore të vëna në dispozicion nga kjo punonjëse, vërtetohej se drejtoresha e institucionit, Dodona Kaloshi, urdhëronte dënimin e grave deri në heqjen e ushqimit.
Reagimi
Shkelja e hapur dhe e paprecedentë e të drejtave të njeriut nga drejtoresha e këtij institucioni, Dodona Kaloshi, i hapi rrugë hetimeve nga një grup specialistësh të institucionit të Avokatit të Popullit. Në një raport disa faqesh, institucioni i Avokatit të Popullit ka renditur shkeljet e konstatuara nga grupi i punës që u ngrit pas denoncimit në “Fiks Fare”, duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të saj.