Detar Lipo braktis banesën dhe mbyll dyqanin: Kam turp nga banorët e fshatit
Pogradec – Denoncoi të birin si autorin e një vrasjeje, dhe më pas vendosi të largohet nga fshati. Kjo, jo për shkak të frikës së hasmërisë, por nga turpi për këtë krim. Detar Lipo, prindi që sinjalizoi dhe dha dëshminë e tij në policinë e Pogradecit për krimin që i biri Xhensil Lipo kishte kryer, ka ndërmarrë një tjetër akt mospranues ndaj kësaj ngjarjeje dhe pasojave të saj, duke vendosur të largohet së bashku me familjen nga fshati Çërravë. Një ditë pas dhënies së masës së sigurisë, në seancën gjyqësore të zhvilluar në Gjykatën e Faktit në Pogradec, ku 19-vjeçari Xhensil Lipo u la në “arrest me burg pa afat”, sipas kërkesë së organit të akuzës, ka ardhur një tjetër reagim nga ana e familjes së autorit të dyshuar të këtij krimi. Prindi i tij, që sipas të dhënave, nuk ka dashur t’i sigurojë të birit as pagesën e një avokati mbrojtës, ka vendosur të lërë fshatin Çërravë si vendbanim. Ditën e shtunë është mësuar se familja Lipo, e përbërë nga kryefamiljari dhe dy vajzat e tij, është larguar nga banesa e tyre në fshatin Çërravë dhe janë vendosur në fshatin Leshnicë, disa kilometra më tej, po në rrethin e Pogradecit. Banorë të fshatit Çërravë thanë se familja Lipo kishte ardhur pak vite më parë, po nga fshati Leshnicë dhe ishte vendosur në Çërravë, nga ku janë larguar për shkak të një vrasjeje, që kreu djali i kësaj familjeje, duke u rikthyer në vendlindjen e tyre. Jo vetëm banesa e braktisur në fshatin Çërravë, por edhe mbyllja e një dyqani të vogël që familja Lipo kishte në këtë fshat, kanë bindur të gjithë për largimin e tyre. Edhe fqinjë të familjes Lipo kanë pohuar se kanë parë largimin e këtyre të fundit. Edhe nga ana e policisë së komisariatit të Pogradecit që kishte vënë inspektorët e saj për të vëzhguar situatën pas ndodhive të fundit, konfirmohet se familja Lipo është larguar nga fshati Çërravë për në atë të Leshnicës. “Nuk e duroj dot turpin mes banorëve të fshatit Çërravë dhe po largohem”, mësohet se është shprehur Detar Lipo, prindi i 19-vjeçarit Xhensil Lipo që akuzohet për vrasje me dashje të bashkëfshatarit të tij, Andrea Ibi. Dy ditë më parë, në Gjykatën e Pogradecit u dha masa e sigurisë për 19-vjeçarin, i akuzuar për vrasje me dashje të një bashkëfshatari të tij për motive të dobëta, pasi e qëlloi me gurë dhe hodhi trupin e viktimës në një kanal në afërsi të fshatit. Pasi ka mësuar nga goja e djalit të vet për kryerjen e krimit, babai ka zgjedhur për të denoncuar në polici, ku mësohet se ai është shprehur se nuk mund të fshihte një vrasje, pavarësisht se atë e kishte kryer i biri, duke menduar se kjo do ta lehtësonte në dënim. Familja e viktimës ka hedhur dyshimet se vrasja është kryer për grabitje.
G. Ashimi