Gazeta “Ta Nea” ripublikon listën me 2 mijë emrat e evazorëve në shenjë proteste


Një prej gazetave kryesore të Greqisë ripublikoi listat me 2 mijë pasunarë grekë me llogari bankare në Zvicër dje, ndërkohë që gazetari që i publikoi ato disa vite më parë, u detyrua të shkojë në gjyq penal “për shkelje të ligjit mbi të dhënat personale”, njofton “Reuters”. Gazeta “Ta Nea” i kushtoi dhjetë faqe listës së llogarive bankare, ku thuhet se janë depozituar mbi 2 miliardë euro. Zbulimi i listave zemëroi shumë grekë mbi faktin se populli po vuan probleme ekstreme nga masat e kursimit, ndërkohë që elita ka pasuruar veten përtej çdo imagjinate.


Lista iu dha Greqisë nga autoritetet franceze në vitin 2010 dhe përmban emrat e 2,059 grekëve në bankën HSBC në Zvicër. Këta emra duhet të hetohen për evazion fiskal. Ajo njihet në publik si “Lista Lagarde”, sipas kreut aktual të FMN-së, Christine Lagarde, e cila në atë kohë që ministre e Financave të Francës.


E përditshmja e qendrës së majtë shkroi se pavarësisht vendimit për të publikuar listën, ajo nuk paragjykonte pasuritë e personave me llogari bankare në Zvicër dhe as nuk mbështet perceptimin e përgjithshëm të popullsisë mbi këto fakte. Lista u publikua fillimisht nga revista e përjavshme “Hot Doc”. Costas Vaxevanis, redaktor i revistës “Hot Doc”, është aktualisht nën akuzë penale për shkelje të ligjit për privatësinë e të dhënave dhe rrezikon deri në dy vjet burg.


“Ta Nea” po e publikon listën sot. A do të përndiqen penalisht ata? Një muaj më parë u publikua lista e faturave fiskale të njerëzve të famshëm, por askush nuk depozitoi kallëzim për këtë fakt”, shkroi Vaxevanis në llogarinë e tij në “Twitter”.


“Sot në gjyq nuk është revista “Hot Doc”, por vetë liria e shtypit në Greqi dhe e vërteta”, shtoi ai. Revista thotë se lista, e cila përfshin edhe emrat e shumë politikanëve dhe biznesmenëve, iu dërgua në mënyrë anonime asaj dhe se autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse lista qe autentike apo jo.


Autoritetet në Greqi thonë se nuk ka prova që të tregojnë se njerëzit e përfshirë në listë kanë dhunuar ndonjë ligj, por ish-ministra janë vendosur nën akuza nga media për mos-hetim të listës dhe të evazorëve të dyshuar.


“Ai e publikoi listën e emrave pa leje të posaçme dhe dhunoi ligjin për të dhënat personale”, deklaroi një zyrtar i policisë të dielën, pasi gazetari Vaxevanis u arrestua.


“Nuk ka prova që të tregojnë se personat apo kompanitë e përfshira në listë kanë dhunuar ligjin. Nuk ka prova se ata janë përfshirë në evazion fiskal apo pastrim parash”, shtoi zyrtari.


Zyrtarët e sistemi të drejtësisë kanë deklaruar se dy politikanë në listë i janë referuar Parlamentit për hetim dhe se zbulimi i llogarive ka vënë në dukje hendekun e thellë në një vend që gjendet në vitin e pestë radhazi të recesionit, ku masat e kursimeve kanë dëmtuar më shumë të varfrit. Gazetari thotë se gjyqi ndaj tij është një përpjekje për të shtypur lirinë e medias.


“Unë nuk bëra asnjë tjetër veç detyrës sime si gazetar. Zbulova të vërtetën që qeveria u përpoq të fshihte”, tha ai. “Nëse ndokush duhet të japë llogari, atëherë u bie pikërisht ministrave që e fshehën atë dhe deklaruan se lista nuk ekziston”, shtoi ai.


“Nesër në Parlament ata do të vendosin për të ulur pagën e punonjësve publikë me 100 apo 20-0 euro në muaj, ndërkohë që shumica e 2 mijë emrave në listë duket se i kanë shmangur taksat duke i dërguar paratë në mënyrë sekrete në Zvicër”, shtoi ai.