Rastet
Korçë – Një 40-vjeçare është vetëmbytur në pusin me ujë para oborrit të shtëpisë dhe u gjet e vdekur mëngjesin e djeshëm
Vlorë – 65-vjeçarja ka lyer trupin me lëndë djegëse, duke i vënë zjarrin vetes dhe më pas është hedhur nga kati i pestë
Vetëvrasjet
Viktimat kishin tentuar edhe më parë të vetëflijoheshin, por ato ishin parandaluar nga familjarët
Dy gra i kanë dhënë fund jetës në mënyra të ndryshme, ku njëra është hedhur në pus, ndërsa tjetra është djegur me benzinë dhe më pas është hedhur nga kati i pestë i një ndërtese. Ngjarjet e rënda kanë ndodhur në Korçë dhe në Vlorë, ndërkohë që në të dyja rastet, viktimat kishin tentuar vetëvrasjet edhe më parë. Burimet nga Policia e Korçës thanë se në një fshat të këtij rrethi është mbytur në pusin e shtëpisë së saj një grua. Aridana Haxhiaj, 40 vjeçe, nga fshati Libonik i Rrethit të Korçës, është gjetur e mbytur nga familjarët mëngjesin e së enjtes, pasi i kishte dhënë fund jetës duke u hedhur në pus. Policia që kreu hetimet për këtë ngjarje, tha se 40-vjeçarja, e cila nuk ishte e martuar, vuante nga depresioni prej disa vitesh dhe në këto kushte ka kryer vetëmbytjen në pusin e shtëpisë. Sipas të dhënave që i referohen po hetimeve të policisë, nga pyetja e të afërmve të viktimës, 40-vjeçarja kishte kryer edhe më parë një tentativë të mbytjes në pusin e shtëpisë, por kishin ndërhyrë në kohë të afërmit e saj. Herën e dytë, kanë qenë dy të afërm ata që e gjetën të pajetë në pus, pasi ajo u kishte humbur nga sytë dhe nuk po dinin ku ta kërkonin. Viktima, e cila kishte dy motra të martuara në Greqi, jetonte aktualisht e vetme së bashku me dy prindërit e saj. Ndërsa një e moshuar i ka dhënë fund jetës në mënyrë tragjike. Ajo është vetëdjegur dhe më pas është hedhur nga kati i pesti një ndërtese në Vlorë. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Vlorës bëri të ditur se në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Vlorës është marrë njoftim se në fshatin Babicë e Madhe është vetëdjegur një shtetase. “Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasja Nazire Isa Mersini, 65 vjeçe, banuese në fshatin Babicë e Madhe, ka spërkatur veten me lëndë djegëse, i ka vënë flakën dhe më pas është hedhur nga kati i pestë i ndërtesës ku banonte, duke gjetur vdekjen e menjëhershme”. Sipas hetimeve të policisë, zbulohet se kjo shtetase vuante nga shëndeti mendor dhe se kishte tentuar edhe herë të tjera të vetëvritej. Ndërkaq është bërë dokumentimi i plotë i kësaj ngjarje dhe materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Vlorës. G. Ashimi & M. Marsi