Një i ri u gjet i vrarë me automatik pranë banesës, ndërsa një 45-vjeçar piu helm
Tentativa – Në Berat piu fostoksinë edhe një 25-vjeçar, i cili është në gjendje të rëndë shëndetësore
Dy persona i kanë dhënë fund jetës në kushte depresioni, ndërsa një i tretë është në gjendje të rëndë shëndetësore. Rasti më i dyshimtë nga të tre është ai i një 25-vjeçari në Fier, i cili është gjetur i vrarë me automatik, ndërkohë që policia pretendon se ai ka vrarë veten, por nuk ka motiv të qartë për këtë akt të ndërmarrë prej tij. Dy rastet e tjera kanë ndodhur në Berat, ku njëri prej tyre ka ndërruar jetë në spital.
Sa i përket rastit të parë, sipas të dhënave të policisë, një i ri nga fshati Frakull i Fierit i ka dhënë fund jetës mbrëmjen e së mërkurës, duke u vetëqëlluar me armë zjarri automatike. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Fierit, të cilat sqaruan se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:10, në banesën e 25-vjeçarit Gazmend Xhulaj. Nga burimet e policisë mësohet se ende nuk janë qartësuar rrethanat që e kanë çuar të riun në depresion. Kjo, pasi edhe familjarët nuk kanë arritur të konstatojnë gjendjen depresive të 25-vjeçarit, duke pohuar se nuk e dinin që ai të kishte pasur ndonjë shqetësim që ta çonte deri në vetëvrasje. Nga informacionet e mbledhura rezulton se ai është gjetur i pajetë pranë banesës së tij, ndërkohë që nga ekspertiza e kryer ka rezultuar se ai ka shenja baruti në trup dhe gjurmët e gishtave të tij janë gjetur në armën e krimit. Në këto kushte, policia ka ngritur dyshimet se ai është vetëvrarë.
Ndërkaq, dy raste vetëhelmimesh janë regjistruar dje në qytetin e Beratit, ku një 45-vjeçar ka ndërruar jetë, ndërkohë që në gjendje të rëndë është një 25-vjeçar. Sipas burimeve policore, Vladimir Lleshi, 45 vjeç, banor i fshatit Magjat, Komuna Perondi, në Kuçovë, mbërriti në gjendje të rëndë për jetën në repartin e urgjencës në spitalin e këtij qyteti. Mjekët shpjeguan se ata konstatuan gjendjen e rëndë shëndetësore dhe me gjithë ndihmën e parë, ai ndërroi jetë. Një sasi fostoksine dyshohet se është konsumuar nga ana e burrit, megjithatë ekspertiza mjekoligjore do të japë konkluzionin përfundimtar.
Pak kohë pas publikimit të rastit të parë në Berat, një tjetër rast vetëhelmimi është regjistruar po në spitalin e qytetit. Julian Mile, 25 vjeç, banor i fshatit Kozare, në Rrethin e Kuçovës mbërriti në gjendje të rëndë për jetën, pasi kishte konsumuar një sasi fostoksine. Mjekët janë duke i ofruar ndihmën e parë shëndetësore, por gjendja e tij shëndetësore vazhdon të jetë e rëndë. Për të dyja këto raste, policia mësohet se ka nisur hetimet, por ende nuk bëhen të ditura motivet që i kanë shtyrë drejt këtyre akteve ekstreme. E. Hoxha & M. Haxhialiu