Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli sot për mediat pas protestës së djeshme, ku nuk munguan përplasjet fizike mes deputetëve, protestuesve dhe policisë. Pas ngjarjeve të djeshme u paraqitën në spital disa të lënduar nga të dyja palët. Në konferencë Berisha u pyet edhe në lidhje me disa deputetë të Partisë së Lirisë, që u larguan menjëherë pas fjalës së tij, sapo nisën trazirat mes protestuesve dhe policisë.
“Sa i përket deputetëve, ata duhet të qëndrojnë deri në fund. Nuk mund të them kush ka ikur e kush jo, por ata duhet të qëndrojnë. Dje në mënyrë selektive të plagosur, të dëmtuar ishin një grup i gjerë deputetësh dhe drejtuesish, ndaj të cilëve u hodh spraj dhe u goditën me shkopinj e mjete të tjera”, tha ai.
Berisha akuzon për goditje selektive ndaj disa deputetëve, teksa shton se Partia Demokratike do të përgatisë një dosje me akuzat e saj dhe do ta paraqesë në prokurori.
“Mbrëmë siç theksova janë përdorur mjete të ndaluara me ligj kundër protestuesve. Para së gjithash është përdorur spraj ‘verbuesi i ariut’ që në disa rrethana ka pasoja vdekjeprurëse. I përdorur tek njerëzit mund të shkaktojë ndalimin të zemrës për shkak të dhimbjes së fuqishme që mund të shkaktojë. Te të sëmurët me azëm mund të shkaktojë akoma më shumë dëme. Gjithçka është e dokumentuar.
Policë kriminelë kanë hedhur kapsolla në këmbët e protestuesve, bomba shurdhuese, që gjithashtu kanë plagosur qytetarët. Janë vërsulur me egërsi dhe qëllim mbi deputetët, të cilët veçse ishin garantë të kryengritjes paqësore. Për të gjithë këto dosjet do të shkojnë në prokurori. Sigurisht që prokuroria nuk pritet të bëjë ndonjë veprim, por e formuluara dosjet do të shkojnë me besimin se drejtësia vonon nuk harron”, tha ai.
