Kuvendi i Shqipërisë rikthehet këtë të martë në aktivitet, pas pushimit veror. Në orën 17:00 deputetët do të mblidhen në sallën e seancave plenare për çeljen e sesionit të ri parlamentar.

Edhe pse Kushtetuta parashikon që sesioni i vjeshtës të nisë të hënën e parë të shtatorit, këtë vit rikthimi i deputetëve është shtyrë me një ditë për shkak të pushimit zyrtar.

Seanca e parë pritet të ketë një karakter kryesisht ceremonial. Fjalën hapëse do ta mbajë kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa ende nuk është e qartë nëse do të ketë ndërhyrje nga drejtuesit e grupeve parlamentare.

Dekreti – Një prej zhvillimeve që pritet të shoqërojë nisjen e sesionit është edhe procedura për ministren e re të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu.

Sipas burimeve, dekreti i Presidentit pritet të jetë gati që në nisje të punimeve të Kuvendit. Pas kësaj, Spahiu mund të bëjë betimin para deputetëve, ndërsa socialistët pritet të propozojnë një emër të ri për postin e nënkryetarit të Kuvendit, detyrë që më herët mbahej prej saj.

Berisha mungon – Në seancën e parë nuk pritet të jetë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Konventën e Republikanëve. Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse kryeministri Edi Rama do të jetë i pranishëm në sallë.

Protestuesit para Kuvendit – Rikthimi i deputetëve në parlament pritet të shoqërohet edhe me protesta jashtë godinës. Qytetarët që prej afro 100 ditësh protestojnë në shesh kanë paralajmëruar se do të dalin sërish përpara Kuvendit në ditën e parë të sesionit.

Për këtë arsye, pritet që Policia e Shtetit të marrë masa të shtuara sigurie dhe të krijojë një perimetër për lëvizjen e deputetëve.

Reforma territoriale – Përtej seancës së hapjes, sesioni i ri parlamentar pritet të rikthejë në qendër të debatit politik edhe reformën territoriale.

Gjatë muajit gusht, socialistët hodhën idenë për një ndryshim të hartës së bashkive, duke propozuar reduktimin e numrit të tyre nga 61 në 46. Propozimi ka hapur një tjetër front debati mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa puna për reformën territoriale vijon pa një rezultat konkret.

Në sfond janë edhe zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2027, të cilat pritet të ndikojnë gjithnjë e më shumë në agjendën politike të Kuvendit.

Mazhoranca ka nisur tashmë lëvizjet për t’u afruar me bazën dhe qytetarët, ndërsa edhe opozita ka paralajmëruar nisjen e përgatitjeve të saj politike për garën e ardhshme lokale

Kështu, edhe pse seanca e parë do të jetë kryesisht formale, zhvillimet politike që pritet të shoqërojnë muajt në vijim sinjalizojnë një sesion parlamentar me debate të forta brenda dhe jashtë sallës së Kuvendit.