SPAK ka në duar përgjime që lidhen me dy prej tenderëve më të mëdhenj publikë të viteve të fundit: Unazën e Madhe të Tiranës dhe Tunelin e Llogarasë. Hetimet po zhvillohen ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ish-drejtorit të ARRSH-së Evis Berberi, si edhe disa personave të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë.

Në dosje, përveç funksionarëve të lartë të qeverisë, përmenden edhe tre deputetë të Partisë Demokratike. Bëhet fjalë për Arbër Agalliun, Lefter Gështenjën, si dhe një deputet tjetër të cilësuar në dokumente si “shumë i afërt me Sali Berishën”. Sipas përgjimeve, Berberi ka komunikuar me deputetin në fjalë, i cili dyshohet se ka kërkuar mbështetje financiare për organizimin e një proteste në Tiranë.

Në rrjet, dyshimet janë orientuar drejt emrit të Belind Këlliçit, por ai ka mohuar kategorikisht të ketë pasur komunikime apo kërkesa të tilla, duke deklaruar se akuzat nuk qëndrojnë.

Reagimi i plotë:

Në kulmin e hetimeve për aferën korruptive Rama–Balluku, është hedhur publikisht një pretendim i pavërtetë sikur ekzistojnë komunikime mes meje dhe ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, në lidhje me organizimin e protestave para Bashkisë Tiranë.

Faktet janë të qarta dhe publikisht të verifikueshme: Protesta e parë para Bashkisë është zhvilluar më 5 prill 2024, pas arrestimit të drejtorëve të 5D më 28 mars 2024, ndërkohë që Evis Berberi ka qenë i arrestuar dhe në paraburgim që prej datës 14 mars 2024, nën regjimin e kufizuar të komunikimit sipas Kodit të Procedurës Penale dhe rregullores së paraburgimit. Në këtë periudhë, ai nuk ka pasur akses në komunikime të lira telefonike, elektronike apo takime fizike, përveç atyre të autorizuara dhe të dokumentuara zyrtarisht.

Prandaj, është objektivisht dhe ligjërisht e pamundur që një komunikim i tillë të ketë ekzistuar. Çdo hetim i thjeshtë zyrtar nga SPAK ose çdo media investigative mund të verifikojë lehtësisht regjistrat e komunikimeve, autorizimet e takimeve, si dhe protokollet e kontakteve të paraburgimit dhe të konstatojë jo vetëm mungesën e komunikimit, por edhe pamundësinë fizike e juridike të ndodhjes së tij. Personalisht nuk jam pjesë e konflikteve të brendshme të asnjë partie, nuk përdor kanale të ndërmjetme komunikimi dhe nuk jam instrument në luftëra politike apo propagandistike.

Për këtë arsye, nuk do ta trajtoj këtë çështje si debat publik, por si shpifje të qëllimshme, që do ta ndjek në rrugë ligjore sipas neneve të Kodit Penal. Ftoj çdo media serioze, gazetar investigativ apo institucion të hedhë dritë mbi faktet dhe të publikojë çdo komunikim të pretenduar, nëse ekziston. Kjo çështje nuk është thjesht një tentativë për baltosje personale. Është simptomë e një kulture politike që ka ndërtuar sistemin mbi shpifjen, jo mbi provën. Mbi llumin, jo mbi transparencën e ligjin. Unë nuk jam këtu për ta ushqyer këtë kulturë, por për ta sfiduar atë, me fakte, me standarde dhe me përgjegjësi publike. Ky është terreni ku unë zgjedh të bëj politikë e të luftoj.