Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri ka vizituar në Spitalin e Traumës të rinjtë që mbetën të plagosur në protestën e sotme tek Ministria e Arsimit, nga dhuna e ushtruar me shkopinj gome nga efektivë të Policisë së Shtetit.
Kapri ka postuar në rrjetet sociale pamjet e studentëve protestues në spital. Njëri prej tyre shprehet se në kokë ka plagët e shkopinjve të gomës që u ushtruan mbi të nga policia.
“Klevi u përball me shkopat e gomës së 6 policëve, por është mirë dhe i fortë. Erdha e vizitova sot te Trauma pas atij momenti tepër të rëndë edhe për mua, teksa e pashë Klevin dhe disa të rinj të tjerë të gjakosur brenda një furgoni policie”, shprehet deputeti Kapri.
Deputeti Kapri shprehet se fatmirësisht asnjë prej të plagosurve nuk është në intubim në spitalin e Traumës.
“Të gjithë të plagosurit janë mirë. Fatmirësisht, askush nuk është në intubim”, shprehet Kapri.
Deputeti Kapri kërkoi që kryeministri Edi Rama të mbajë përgjegjësi për atë që ndodhi sot dhe të japë menjëherë dorëheqjen.
“Ndodhem tek Spitali i Traumës këtu në Tiranë ku ka 7 protestues të lënduar, edhe 6 policë. 3 gazetarë kanë marrë mjekim më herët. Protestuesit më kanë konfirmuar që janë dhunuar nga policia. Kanë shenja në kokë dhe në fytyrë.
I urojmë shërim të shpejtë atyre dhe policëve. Gjithashtu, kjo situatë ishte e paralajmëruar. Ndaj i vetmi që duhet të mbajë përgjegjësi është Edi Rama, kryeministri i vendit që duhet të japë menjëherë dorëheqjen”, tha deputeti i Mundesia.
Qindra të rinj u ngritën sot në protestë përpara Ministrisë së Arsimit dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa u përplasën me policinë dhe u përballën me dhunë e gaz lotsjellës.
