Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me tone të ashpra ndaj kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, një ditë pas raportimit të këtij të fundit në Komisionin e Ligjeve, ku foli për punën e institucionit dhe sfidat që përballet drejtësia.
Gjatë mbledhjes me grupin parlamentar të PD-së, Berisha përdori fjalë të rënda ndaj Dumanit, duke e quajtur “injorant, i turpshëm, bastard”, në një reagim që pason deklaratat e kreut të SPAK-ut për protestën e mbështetësve të Erion Veliajt jashtë ambienteve të SPAK-ut, në kohën kur po vendosej masa e arrestit për ish-kryebashkiakun.
Berisha kritikoi qëndrimin e Dumanit për atë ngjarje, duke e akuzuar se po mbyll sytë ndaj presioneve politike dhe se po vepron në mënyrë të njëanshme, në shërbim të mazhorancës.
“Më falni ë, e kanë rrethuar dhe desh e kanë rrahur dhe kanë bërë shumë gabim. E tha vetë. E rrethoi shteti atë, nuk kemi bërë protesta ne, kurrë. Dhe opozita mund të bëjë protesta, po unë nuk jam për protesta. Problemi i drejtësisë është ky, që kur është krijuar shteti, këtij sistemi i jepet pushtet për ta ushtruar. Nuk është i zgjedhur, por është në ujdinë për ekzistencën e shtetit që ka ligjet, që duhet të ketë edhe sistemin e mbikëqyrjes. Opozita ka të drejtë të protestojë, por as ka protestuar dhe as do protestojë. Kam bërë konferenca shtypi aty vetëm për t’u thënë të vërtetat shqiptarëve”, tha Berisha.
“Desh i shtruan në dru, e tha vetë dje, dhe shërbëtori i tyre, po kujt i thotë, me se i justifikon ai, të na thotë pak, dosjen 339 dhe 184? A ka krim më të shëmtuar se ky të mbyllësh ato dosje? I pavarur ky. Ti je një armik i egër i pluralizmit politik në Shqipëri. Je një bastard, një Aranit Çelë në llojin tënd”.
Sipas tij “Prisni një minutë, kemi arrestuar apo kemi bërë 35 zyrtarë. Ndalemi pak. Tre liderët e partive kryesore opozitare. Asnjë zyrtar të partisë së krimit. Erion Veliajn e arrestuat për llogari të Edi Ramës. Atë e ka marrë vesh tani çdo njeri. Dhe nuk kanë turp dhe dalin e flasin. Megjithëse shpesh dje ai u bë gati të largohej se nuk i përballonte dot të vërtetat. Ky injorant, i turpshëm. Dhe ankohet se është quajtur kryetar i një organizate kriminale”.