Pas dështimit të PD në zgjedhjet e pjesshme lokale, ka reaguar Ilir Alimehmeti i cili ka shprehur kritika. Në një reagim në rrjete sociale, Alimehmeti thotë se pjesëmarrja e ulët në votim ishte një mesazh ndër të tjera edhe për PD-në.
Ai vë theksin te organizimi i strukturave drejtuese të partisë, që sipas tij, çalon shumë dhe për t’u ofruar qytetarëve atë që ata presin, duhet që të bëhet një “ndryshim rrënjësor” brenda partisë.
“Përballë korrupsionit kokë e këmbë të qeverisë, duhet vendosur riorganizimi kokë e këmbë i Partisë Demokratike. Mospjesëmarrja masive në zgjedhjet e 9 nëntorit, sidomos në bashkitë e mëdha të jugut, ishte mesazhi i fortë qytetar kundër qeverisjes korruptive por njëkohësisht edhe mesazh për opozitën dhe Partinë Demokratike.
Duke i dhënë çdo meritë secilit prej kandidatëve opozitarë që punuan me mish e me shpirt, duhet të jemi të ndershëm duke thënë se organizimi i strukturave drejtuese çalon fort. Për të bërë ndryshimin e madh që mezor po presin qytetarët, nevojitet një ndryshim rrënjësor brenda nesh për të ofruar më të mirën tonë kundër më të keqes së qeverisjes”, shkruan Alimehmeti.
Një ditë më parë, një reagim të gjatë, kritik ndaj PD-së, bëri edhe Ervin Salianji. Ai e cilësoi si një gabim strategjik faktin që PD nuk doli me kandidatët e vetë politikë. Duke mbështetur kandidatë të pavarur, Salianji tha se PD zgjodhi rehatinë në vend të përballjes, ndërsa shtoi se që nga 11 maji nuk është në rrugën e duhur.
