Një konflikt i shkaktuar nga një mosmarrëveshje për afatet e qëndrimit në një dhomë me qira ka përfunduar me plagosjen e pronarit të banesës në qytetin e Vlorës.
Ngjarja ndodhi sot rreth orës 09:00 në lagjen “10 Korriku”, ku shtetasi B. L., 53 vjeç, dhe qiramarrësi i tij, Klevis Aliaj, 36 vjeç, u përfshinë në një debat verbal që më pas degjeneroi në përleshje fizike.
Sipas Policisë, gjatë konfliktit, Aliaj dyshohet se ka goditur pronarin e banesës me një mjet të mprehtë, duke i shkaktuar dëmtime të lehta. 53-vjeçari është transportuar menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas ngjarjes, i dyshuari është shoqëruar nga policia dhe ndodhet në ambientet e Komisariatit të Policisë Vlorë për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për përcaktimin e përgjegjësive ligjore.
